Banka e grabitur një javë më parë në Tiranë nuk ishte e para për Robert Dukën, alias Albert Duka. 50-vjeçari, tashmë i arrestuar, është identifikuar nga ‘blutë’ e Tiranës si autor i një tjetër vjedhjeje me armë, të kryer në qershor.
Ai hyri i maskuar me skafandër e kaskë në bankë, por policia e ka identifikuar përmes teknologjisë. Dukës i janë sekuestruar 8200 euro, veshjet dhe 2 celularë.
"Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera me metoda speciale, nga strukturat hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjuetari i Bankave”. Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë.
Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan ;
- 8 200 euro,
- Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale
- 2 aparate celularë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve", tha drejtuesi i Policisë Tiranë, Oliger Torba.
Lajmi kryesor:
Tiranë/ Grabiti 60 mijë euro në një bankë në Komunën e Parisit një javë më parë, arrestohet autori Robert Duka! Report Tv siguron videon kur largohet me monopatinë (VIDEO)









