Një i ri nga Vlora, Saimir Dine, është dëmtuar në sy gjatë protestës së dhunshme të zhvilluar ditën e sotme, më 28 Nëntor në Tiranë.
Aktualisht ai ndodhet te Spitali i Traumës dhe burime të pakonfirmuara bëjnë të ditur se do të duhet që pas disa ditësh t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
“Kam shumë dhimbje. Gjithë krahun e majtë e kam kështu, sikur po më godet me thikë. Isha vetëm, tek pull, sapo dola te trau i Hotel Tiranës. Mora mamin në telefon. Më tha ‘ku je?’. I thashë ‘jam këtu, po pi një kafe’. Ça do i thoja. Te krahu i Operës përballë, kur po flisja me nënën, sapo mbylla telefonin, më erdhi goditja. Ishte e drejtpërdrejtë si gjuajtje. Unë isha vetëm, as po godisja, as po bëja”, tha i dëmtuari.
Ende nuk dihet nëse Dine është dëmtuar në sy me plumb gome, me fishekzjarrë, apo me sende të tjera të forta.
Rasti i Dines vjen pas atij të të riut Erion Vishkulli, i cili u dëmtua me plumb gome në sy dhe u desh t’i nënshtrohej ndërhyrjeve kirurgjikale në Shqipëri e Itali për të shpëtuar syrin e tij.
Lajmi kryesor:
Protesta/ 6 orë dhunë në Ditën e Pavarësisë! Sulmohen institucionet, molotovë dhe gurë drejt efektivëve! Policia hedh gaz lotsjellës edhe me dron




