Pas pesë ditësh nga grabitja e argjendarisë 'Roy' në Kamëz, ka marrë fund arratia për njërin e prej autorëve, Elez Hysa. 22-vjeçari u arrestua në zonën e Malësisë së Krujës, ku në banesën e tij policia gjeti rroba dhe sende të tjera të djegura, që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.
Gjithashtu, janë sekuestruar edhe kuti boje, të cilat dyshohet se janë përdorur për të lyer motorin me qëllim shmangien e identifikimit nga policia. Para hetuesve, Hysa ka mohuar përfshirjen në ngjarje.
22-vjeçari rezulton me precedent penal për kultivim të lëndëve narkotike. Policia ka identifikuar edhe autorin tjetër të dyshuar dhe po punon për lokalizimin e arrestimin e tij.
Deri më tani nuk janë gjetur as motori i përdorur në grabitje dhe as arma e zjarrit. Ndërkohë, gjatë arratisjes, autorëve dyshohet se u kanë rënë disa bizhuteri në rrugë, të cilat janë sekuestruar nga policia gjatë ndjekjes.
Grabitja e argjendarisë ndodhi mesditën e së shtunës, 16 maj, ku autorët e armatosur dhe me skafandër motori në kokë u futën në argjendari dhe në më pak se një minutë vodhën bizhuteri, vlera e cila përllogaritet deri në 700 mijë lekë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, për identifikimin dhe kapjen e 2 shtetasve që vodhën nën kërcënimin e armës bizhuteri në një argjendari në Kamëz, kanë bërë ndalimin me iniciativë të shtetasit:
-E. H., 22 vjeç, banues në Krujë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, është i implikuar në vjedhjen argjendarisë në pronësi të shtetasit O. L., ku u morën një sasi bizhuterish.
Gjithashtu, janë sekuestruar disa sende të kundërligjshme, të vlefshme për hetimin.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










