Policia e Shtetit ka shoqëruar mbi 40 persona pas grabitjes së ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit. Dyshimet e policisë kanë rënë mbi disa grup kriminal me tendencë grabitjet me armë. Verifikimet e policisë janë përqendruar në Thumanë, ku janë shoqëruar disa persona, ndërsa FNSH, RENEA janë angazhuar në kërkime me helikopter dhe qen gjurmues.
 
Ndërkaq grabitja e parave në pistën e fluturimit, ka cenuar sigurinë e aeroportit i cili supozohet se duhet të jetë i garantuar në mënyrë kategorike. Menjëherë pas grabitjes Policia e Shtetit, ngriti një grup hetimor të përbërë nga hetues të policisë së Durrësit, Tiranës dhe Krujës me qëllim zbardhjen e grabitjes. 
 
Konfirmohet se personat e maskuar qëlluan disa herë anë ajër për të trembur policët privatë që kryenin transportin e vlerave monetare. Kjo shoqëri kishte përgjegjësi për transportimin e vlerave monetare, e kontraktuar nga banka e nivelit të dytë që transportonte paratë. Ndërkaq ngjarja e mesditë së kësaj të enjteje, nuk ka cenuar vetëm sigurinë monetare të një banke të nivelit të dytë, por edhe sigurinë e aeroportit të Rinasit, i cilësuar një objekt i rëndësisë së veçantë.
 
Ai ruhet me roje të certifikuar por që në rastin konkret, nuk mundën të bënin asgjë veç se të ishin spektatorë të grabitjes spektakolare. Më këto pamje, shihet edhe porta e sigurisë, nga ku furnizohen me karburant avionët në aeroport. Ajo gjatë gjithë kohës është e mbikëqyrur me kamera e roje të kompanisë ICTS që duhet të garantojë sigurinë e aeroportit.
 
Ndërkaq veç kompanisë ICTS, mësohet shumë sektorë të aeroportit ruhen nga kompania Nazeri 2000 që ishte dhe kompania që transportoi paratë. Duke u nisur nga ky fakt, hetuesit kanë ngritur dyshimet se grabitësit kanë pasur një bashkëpunëtor të brendshëm që u ka dhënë të gjithë informacionin se sa para do të transportoheshin dhe mekanizmin se si do të kryhej transporti.
 
Po kështu burime për Report TV mësojnë se kanë qenë dy automjete që po transportin paratë për në aeroport. Mjeti tjetër i kompanisë është kthyer mbrapsht kur mësoi së kishte ndodhur grabitja.
 
Ndërkaq pas gjetjes së mjetit të djegur në zonën e Fushë- Prezës në një distancë, prej rreth 2 km, nga vendi i grabitjes, policia ka konfirmuar se mjeti i vjedhur i përket një personi me banim në Pogradec. Ky mjet është vjedhur në muajin mars dhe është denoncuar prej pronarit të mjetit. Veç punës për këqyrjen e mjetit, policia ka punuar edhe për gjurmimin e grabitësve, duke përdorur qen gjurmues.
 
Ndërkaq një helikopter i RENEA-s, ka patrulluar në një perimetër prej rreth 10 km në zonën e vendit të ngjarjes, por edhe në zona të tjera si në Krujë, Nikël, Fushë- Krujë, Thumanë, e për rreth ku policia ka pasur dyshime se mund të kishin lëvizur autorët.
 
 Po ashtu policia deri në mbrëmjen e të enjtes vonë, shoqëroi më tepër se 40 persona në zonat, përkatëse, të cilët njihen nga policia si elementë me tendenca kriminale në drejtim të grabitjes me armë.
 
Po ashtu gjatë mbrëmjes, është konfirmuar se kërkimet e policisë ishin përqendruar në zonën e Thumanës, ku janë shoqëruar një grup i konsiderueshëm personash, identitetet e të cilëve nuk jepen nga policia. Policia ka marrë në mbikëqyrje pamjet filmike të kamerave nga të cilat mund të hidhet dritë për zbardhjen grabitjes.
 
Për tu theksuar është që aeroporti "Nënë Tereza" ka qenë në masa të shtuara sigurie pas atentatit terrorist në aeroportin e Stambollit. Ka dyshime se ky grup është i përfshirë edhe në grabitje të tjera të parave të bankave.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com