Është zbardhur 'grabitja' e ndodhur 4 ditë më parë në zyrat e këshillit të qarkut në Vlorë, ku një person me maskë dhe i armatosur hyri në zyrat e pronave, duke marrë dy dosje për pronat në Dhërmi. Rezulton se e gjithë ngjarja është inskenuar nga Drejtori i administrimit e mbrojtjes së tokës, Bardhyl Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe një 51-vjeçar i identifikuar si Spiro Duni, të cilët u arrestuan ditën e sotme.

Këta persona kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë së një toke në Dhërmi, por më pas nga frika për të mos u kapur, inskenuan grabitjen e dosjeve. 

Burime nga policia sqaruan se një tapi dhe formulari 6 i regjistrimit të një pronë truall ishim në bregdet në Dhërmi ishin falsifikuar në favor të Spiro Dunit. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se çështja pronësore e familjes Duni po hetohej pasi ka pasur pretendime për falsifikime dhe dokumentet origjinale janë kërkuar të vihen në dispozicion të organeve të drejtësisë, e për të mos u zbuluar falsifikimi funksionarët e këshillit të Qarkut, kanë sajuar vjedhjen e tyre. Këto dokumente janë origjinale vetëm në këtë zyrë dhe nuk janë administruar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Nuk dihet ende se cili është personi që u fut i armatosur në zyrat e pronave.

Ndërkohë, pas ngjarjes, vetë Gjika foli për mediat, duke e konsideruar grabitjen një akt të rëndë që ndodhte në zyrat më me rëndësi  të qarkut.

Materialet proceduriale do ti kalojne Prokurorise pranë Gjykatës së Shkallës së Vlorë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, e kryer në bashkëpunim.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:41
Sot është arrestuar si falsifikues, por si e denonconte Drejtori vjedhjen në Këshillin e Qarkut Vlorë 3 ditë më parë

 

Drejtori i administrimit të mbrojtjes së tokës në Këshillin e Qarkut Vlorë, Bardhyl Gjika, u prangos sot për shkak se ka falsifikuar një dokument pronësie dhe më pak ka inskenuar një vjedhje  në institucion.

Por 3 ditë më parë ai denonconte vjedhjen e inskenuar për mediat. Ai shprehet se "janë vjedhur zyrat më me rëndësi të qarkut, ndërsa thekson se nuk dihet ende se cilat dokumente janë vjedhur dhe se pritet të bëhet një inventar"

"Një person ka ardhur me mjete të forta dhe ka hapur zyrat e pronave. Po merret policia dhe po bëjmë dhe një inventar për të saktësuar se çfarë mungon. Janë vjedhur zyrat e drejtorisë së administrimit dhe mbrojtjes së tokës. Janë zyra të një rëndësie më të madhe në raport me zyrat e tjera të qarkut. Nëse humb një dokument origjinal ka rrezik, nuk është njësoj si një dokument fotokopje. Sipas të dhënave ka hyrë nga dritarja te zyra e zëdhënësit dhe më pas ka dalë nga dera kryesore", tha ai.