Vjedhja e 1 milionë dollarëve në aereoprtin e Rinasit i është nënshtruar tashmë një hetimi të thellë, i cili dhe do të zbardhë institucionet përgjegjëse për shkeljet e sigurisë. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i cili nuk pranoi të komentonte mbi vjedhjen deri në fund të hetimeve.

Sipas tij, rezultati i hetimeve do të përcaktojë qëndrimin e mëtejshëm të institucioneve në lidhje me kontratën e koncesionit të Rinasit.

"Ministria e Brendshme gjithashtu ka thëne që jemi në një proces hetimi dhe ky proces do të shikojë të gjithë përgjegjësië institucionale të të gjithë faktorëve që lidhen me sigurinë në aeroportin ‘’Nënë Tereza’’ të Tiranës. Në përfundim të këtij hetimi të gjithë ata që janë përgjegjës do të përgjigjen mbi bazë të detyrave funkisonale që kanë. Deri atëherë duhet të thellohemi dhe të shikojmë se çfarë detyrash ka pasur për të bërë, i ka bërë ose nuk i ka bërë'', u shpreh Haxhinasto.  

I pyetur nëse do ketë rishikim të marrëveshjes koncesionare ministri është shprehur se do të jetë konkluzion i hetimit të plotë dhe të thëllë për këtë çështje.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com