Më pak se 1 minutë iu deshën 2 autorëve të dyshuar të grabitjes së argjendarisë në bulevardin e Kamzës të shtunën. Të armatosur rëndë me kallashnikov, lanë motoçikletën para dhe hynë pa zhurmë, morën disa bizhuteri dhe u larguan.

Përmes “Londrës”, rrugës që është ngjitur me argjendarinë, u nisën me shpejtësi për t’u larguar. Burime pranë grupit hetimor të Komisariatit nr. 5 në Kamzë bëjnë me dije se janë gjurmuar deri në afërsi të Zall Herrit, përmes pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë. Në asnjë moment nuk kanë hequr skafandrat nga koka dhe kjo e ka bërë, të paktën deri në këtë fazë, të vështirë identifikimin e tyre. Në një moment, sipas burimeve policore, duke lëvizur me shpejtësi me motoçikletë, rrëzohen, por vijojnë sërish lëvizjen për t’u arratisur.

Ndërkohë, policia shoqëroi disa persona me precedentë penalë në zonë për verifikim, nëse kanë lidhje me ngjarjen, por nuk u provua përfshirja e tyre dhe u lanë të lirë. Pavarësisht kontrolleve dhe shoqërimeve të kryera, autoritetet ende nuk kanë arritur të identifikojnë autorët e grabitjes. Hetuesit po analizojnë provat e mbledhura në vendngjarje, ku rezulton se autorët kanë marrë sende ari dhe argjendi.

Në pyetje është marrë edhe punonjësja e argjendarisë, e cila u tha hetuesve se nuk është përballur me grabitësit në mënyrë direkte, pasi në momentin e hyrjes së tyre të armatosur, ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe jo pranë banakut.