TIRANË- Ata janë heronjtë aktual të Policisë së Shtetit. Të enjten arrestuan autorin e një grabitje me armë në një bankë të nivelit të dytë pranë zonës së ish-Parkut. Efektivët e Komisariatit nr. 2, Eduart Saliko dhe Ermal Çeka, rrëfejnë ekskluzivisht për Report Tv momentet e prangosjes së Bardhyl Fushës, i cili mundi të dalë nga banka, pasi nën kërcënimin e kallashnikovit grabiti 800 mijë lekë. I pari që i informoi ishte një klient i bankës, i cili doli pasi grabitësi hyri brenda.
“Kaluam rastësisht në këtë rrugë, dhe konstatuam një qytetar që na dha informacion që është një grabitje. Ne në fillim u habitëm se nuk është një ngjarje e zakontë”, shprehet efektivi Çeka.
Çeka tregon momentin fillestar të përballjes me agresorin. Pavarësisht se pa rezistencë, tensioni ishte i lartë.
“Kur zbritëm nga fugoni pashë dikë realisht me rroba të zeza me diçka në duar por që nuk e pashë momentin e parë, derisa qytetari më njoftoi që është me kallash, është me armë. Kur u afrova zotëria ishte te dera duke tentuar për të dalë. Aty i thashë ndal polica, ule armën! Thjesht u dorëzua direkt, uli armën dhe kolegu e prangosi”, rrëfen ai.
Eduarti i vuri prangat, por edhe pse me eksperiencë të gjatë në polici, sërish, raste të tilla janë të pazakonta.
“Ajo ishte momentale dhe duhet të kontrolloja emocionet dhe të veprojë sipas rregullave standarde, se po të emocionohesh nuk rakordon dot veprimet dhe megjithatë neve u munduam dhe realizuam me sukses”, thekson ai.
Ermali ka vetëm 4 muaj në Policinë e Shtetit, por kjo nuk e ndaloi të ruante qetësinë dhe të vepronte siç duhet.
“Ishte një ngjarje pak e vështirë për mua, se është fillimi, si një punonjës i ri policie. Në Shqipëri nuk janë të zakonshme këto ndodhi, dhe ne nuk është se jemi mësuar. Duhet të jesh shumë i qetë, të bësh procedurën dhe mund t’ia dalësh”, thekson ai.
Por, a rrëfeu gjë Bardhyl Fusha pasi grabitja e tij e bankës dështoi dhe tashmë ishte në prangat e policisë?
“Jo, asnjë gjë. Vetëm në momentet që është plagosur dëshironte vetëm të mund ta largonim dhe asnjë reagim. Pastaj edhe neve nuk e kemi mënyrë pune të komunikojmë”, thotë polici Saliko.
Në zonë kishte qytetarë që ishin në lëvizje, dhe mund të ishin rrezikuar.
“Kishte shumë qytetarë, disa tentuan edhe të afroheshin. Ka një mani për t’u afruar kur ka ngjarje, dhe mund të rrezikoheshin, edhe ne edhe ata”, tha Ermal Çeka.
“Në çdo rast është risk, sepse nuk e di se kë ke përballë. Derisa ka arritur të bëj një veprim të tillë, mund të reagojë të bëj edhe veprime të tjera”, vijon Eduart Saliko.
Guximi dhe profesionalizmi i treguar nga 2 efektivët e policisë u vlerësua nga kryepolici Ilir Proda, i cili pak orë pas ngjarjes i takoi dhe falënderoi në Komisariatin nr. 2. Në kohë rekord, Saliko dhe Çeka, mundën të neutralizojnë Fushën, i cili prej borxheve të shumta, pa zgjidhje për grabitjen e një banke.

Detaje të reja nga grabitja me armë e ndodhur mesditën e së enjtes në filialin e një banke të nivelit të dytë, në Tiranë. 61-vjeçari Bardhyl Fusha ka treguar se kishte rreth 70 mijë euro borxhe të pa shlyera tek punëtorët, për shkak se ishte sipërmarrës në fushën e ndërtimeve. Ai ka deklaruar më tej se kishte zgjedhur të grabiste bankën për shkak se kishte shkuar edhe herë të tjera aty kur kryente pagesat. Fusha, me origjinë nga Gramshi jetonte në Tiranë me familjen në një banesë me qira. Ai u afrua pranë bankës me automjetin e tij dhe pas e parkoi aty pranë hyri i armatosur në filialin e bankës. Mësohet se roja i sigurisë private nuk ishte për momentin tek dera, por dedektori sinjalizoi se Fusha që sapo u fut në bankë kishte metal me vete. 61-vjeçari nxori menjëherë kallashnikovin nga çanta dhe qëlloi një herë në dysheme. Ai arriti të marrë vetëm 800 mijë lekë të vjetra në njërën prej arkave dhe sapo doli tek dera u arrestua. Për armën e zjarrit ai deklaroi se e kishte që prej vitit 1997 dhe e mbante në banesë.

Bardhyl Fusha, 61-vjeçari që grabiti me armë një bankë në Tiranë ka arritur të marrë 800 mijë lekë. Sipërmarrësi në fushën e ndërtimit, u fut paraditen e së martës në një bankë në zonën e Delijorgjit dhe nën kërcënimin e armës arriti të marrë një shumë parash nga arka dhe më pas tentoi të largohet.
61-vjeçari qëlloi njëherë me kallash në dysheme dhe në tentativë për tu larguar u kap nga policët në derën e bankës. Ishte një klientë që njoftoi policinë për ngjarjen dhe një patrullë që ishte afër bëri të mundur neutralizimin e 61-vjeçarit dhe më pas vendosjen e tij në pranga.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës dhe Jetës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, vunë në pranga shtetasin B. F., 61 vjeç, pasi dje, në rrugën “Muhedin Llagami”, ka hyrë në ambientet e një banke, me armë zjarri automatik, dhe ka marrë 800 000 lekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe shuma e parave të vjedhura”, njofton policia.
Komente













Detyren kemi bere o polic ordinera.
Përgjigju