Bardhyl Fusha, 61-vjeçari që grabiti me armë një bankë në Tiranë ka arritur të marrë 800 mijë lekë. Sipërmarrësi në fushën e ndërtimit, u fut paraditen e së martës në një bankë në zonën e Delijorgjit dhe nën kërcënimin e armës arriti të marrë një shumë parash nga arka dhe më pas tentoi të largohet.

61-vjeçari qëlloi njëherë me kallash në dysheme dhe në tentativë për tu larguar u kap nga policët në derën e bankës. Ishte një klientë që njoftoi policinë për ngjarjen dhe një patrullë që ishte afër bëri të mundur neutralizimin e 61-vjeçarit dhe më pas vendosjen e tij në pranga.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës dhe Jetës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, vunë në pranga shtetasin B. F., 61 vjeç, pasi dje, në rrugën “Muhedin Llagami”, ka hyrë në ambientet e një banke, me armë zjarri automatik, dhe ka marrë  800 000 lekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe shuma e parave të vjedhura”, njofton policia.


Lajmi kryesor:

Ekskluzive/ Flasin për Report Tv dy policët që neutralizuan grabitësin me kallash në bankë: Situatë e rrezikshme, kishte qytetarë të tjerë (VIDEO)