Gjykata e Krujës ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 4 punonjësit e ICTS dhe një të  "Nazeri 2000", me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas grabitjes së rreth 1 milionë euro në aeroportin "Nënë Tereza" mesditën e 30 Qershorit. Me vendimin e marrë sot, gjykata ka lënë në burg punonjësit e ICTS Arben Karafili, Bledar Blloshi, Kujtim Picari, Fadil Jonuzaj si dhe kryetarin e degës Teknike të Aeroportit, Vangjel Nikolla.

Për pesë punonjësit e kompanisë së sigurisë ICTS dhe "Nazeri 2000" në aeroportin e Rinasit, masat u zhvilluan nga gjyqtare Nazmije Pengili pasi gjyqtarja Enkelejda Hoxha dha dorëheqjen për shkak të konfliktit të interesit që kish me avokatin mbrojtës Fatmir Brraka.

Report Tv ndoqi ekskluzivisht seancat e masave të sigurisë në një transmetim direkt nga Gjykata e Krujës. Pesë të akuzuarit nuk thanë asnjë fjalë para gjykatës në lidhje me grabitjen dhe reagimi i vetëm ishte i avokatit Vladimir Meçe.

"Mendimi im është që Prokuroria i ka devijuar hetimet për t’i shmangur përgjegjësitë e policisë së shtetit dhe të organave eprore të cilat duhet të kishin marrë masa suplementare në një kohë që nuk nuk kanë marrë as masat bazikë", u shpreh avokati mbrojtës, Meçe. 

Këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Krujës u paraqit dhe zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardian Çipa. Për këtë vizitë të tij mungoi një prononcim zyrtar se cila ishte arsyeja, ndërsa Report Tv mësoi se Çipa është paraqitur për të koordinuar hetimet me Prokurorinë e Krujës e cila pritet të rimarrë në pyetje të ndaluarit dhe zyrtarët e koncesionarit TIA (Tirana International Airport).

Arben Karafili, Drejtor Operacional i kompanisë së sigurisë “ICTS”, Bledar Blloshi, agjent i kompanisë “ICTS”, Fadil Jonuzaj, agjent i kompanisë “ICTS”, Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare si dhe Vangjel Nikolla, kryetar i Degës Teknike të Aeroportit u ndaluan 2 ditë më parë me kërkesë të prokurorisë Krujë dhe ndaj tyre është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës.

Fadil Jonuzaj, Arben Karafili, Bledar Blloshmi, Vangjel Nikolla dhe Kujtim Picari
(5 të ndaluarit, Fadil Jonuzaj, Arben Karafili, Bledar Blloshmi, Vangjel Nikolla dhe Kujtim Picari)