Katër persona tentuan të bastisin mesditën e kësaj të diele, shtëpinë e një tregtari shumice në qytetin e Shkodrës. Keqbërësit u zbuluan nga fqinjët që njoftuan policinë. Kjo e fundit rrethoi pallatin, por personat ishin larguar më parë pasi zbuluan se aty po mbërrinte policia.
 
Pak metra larg qendrës së qytetit të Shkodrës, në mes të ditës 4 persona kanë tentuar të grabisin banesën e biznesmenit Sabah Rashketa në afërsi të konviktit të universitetit "Luigj Gurakuqi".
 
Grabitësit janë zbuluar nga një fqinje e biznesmenit, ndërsa menjëherë ka lajmëruar policinë.
 
Në pak minuta në vendngjarje kanë mbërritur efektivë policisë së Shkodrës, si dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këta të fundit rrethuan pallatin në të cilin dyshohet se ndodheshin grabitësit të cilët kishin tentuar të hynin në banesën e tregtarit të shumicës Sabah Rashketa.
 
Për rreth 30 minuta policia ka mbajtur të rrethuar banesën, por pa mundur që të arrestojë grabitësit.
 
Sipas burimeve të policisë keqbërësit kishin mundur të largoheshin përpara se të mbërrinte policia, pasi mendohet se kishin kuptuar se ishin zbuluar.
 
Për këtë shkak ata janë larguar pa mundur të hynin në banesën që kishin planifikuar të grabisnin.
 
Ndërkohë, policia ka shoqëruar një person në cilësinë e të dyshuarit si bashkëpunëtor të grabitësve, ndërsa po punohet për identifikimin e të dyshuarve.
 
Sipas banorëve te zonës, janë dëgjuar edhe të shtëna që dyshohet se kanë qenë si shenje paralajmërimi nga policia.
 
Biznesmeni personi të cilit i është tentuar të grabisnin banesën në Shkodër, është i njohur si tregtar i një pike me shumicë, në qendër të Shkodrës.


sabah rreshketa
(Biznesmeni Sabah Rashketa)

grabitja shkoder

grabitja shkoder

grabitja shkoder
 Foto të tjera..
(Vendi ku ka ndodhur ngjarja)