Dikur kamp pune dhe internimi i ngritur nga regjimi komunist, një nga më brutalët gjatë diktaturës, sot, Gradishta në Lushnje, është kthyer në frymëzim për artistët e rinj, si një reflektim mbi kujtesën brez pas brezi.
Etnomuzikologia Mikaela Minga, fotografja Orestia Kapidani dhe producenti muzikor e artisti i tingullit, Frenkli Vjero kanë krijuar një instalacion fotografik realizuar me film analog, disa bardhë e zi; si dhe zanor me regjistrime reale të marra në terren: zëra, rrëfime, peizazhe zanore.
“Përmes imazhit nxitet përfytyrimi vizual i vendit, ndërsa përmes preludeve tingullore, dëgjuesi afrohet me rrëfimet dhe atmosferën. Synimi nuk ka qenë të krijojmë diçka të bukur estetikisht, por mbi të gjitha diçka të vërtetë. Një ftesë për reflektim mbi një të shkuar që vazhdon të ndikojë të tashmen.”, thotë për “Report TV”, Mikaela Minga.
Kampi i internimit u ngrit në vitin 1958 për familjet që konsideroheshin armiq, duke ofruar një jetesë në kushte të rënda në fermën “29 Nëntori”.
Për të krijuar instilacionin “Gradishta / Tempus Captum” , i cili gjendet te Librari Valentini, pranë Kishës Katolike te Rruga e Kavajës, artistët kanë shkelur në zonë, duke parë nga afër se si jetojnë sot banorët që nuk u larguan kurrë nga Gradishta
“Në të njëjtën kohë kemi parë këtë pjesën e arkeologjisë së prekshme të së shkuarës, ku gjëja më e dallueshme janë barakat e dikurshme, një pjesë thuajse të shkatërruara e te disa të tjera njerëzit vazhdojnë të jetojnë aty; pallatet e ndryshme dykatëshe dhe ato thuajse të braktisura, si dhe shtëpitë e reja të njerëzve që kanë zbritur prej atyre pa pas viteve ’90-të. Ka qenë një vizitë e rastësishme e Orestias para një viti e pak më shumë dhe një bisedë spontane e jona, dëshira për të bërë diçka, dhe në momentin kur pamë thirrjet e Fondit Zviceran të Kulturës vendosëm që të aplikonim, sepse na preku kjo pjesa e lidhjes midis së tashmes dhe së shkuarës.", thotë Minga.
Objekti kryesor i trajtimit është marrëdhënia mes së tashmes dhe së shkuarës, mes kujtesës dhe harresës. Një e shkuar që, edhe sot, vazhdon të përndjekë të tashmen.
Komente









