GRAMSH- Dy ushtarë janë sulmuar në Uzinën e Armëve në Gramsh nga 2 rus dhe 1 ukrainas, të moshës 24-33 vjeç, të cilët janë arrestuar nga policia. Ata dyshohet se janë agjentë të shërbimit sekret rus. Dy prej tyre po qëndronin në automjet, ndërsa 24-vjeçari i identifikuar si Mikhail Zorin, i cili mbante aparat fotografik në dorë i është afruar perimetrit të uzinës. Sapo është konstatuar nga ushtarët Albi Bici dhe Ardian Xhaka, i hodhi sprajt kimik në fytyrë, por ata bënë të mundur neutralizimin e tij. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune. Report Tv ka siguruar fotografinë ekskluzive të automjetit tip 'Chevrolet Camaro' me targa ukrainase që është përdorur nga rusët dhe ukrainasi për të hyrë në Shqipëri. 

Si ndodhi ngjarja? 
Rreth orës 17:40 të ditës së sotme (e shtunë 20 gusht), një prej rojeve në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët Albi Bici dhe Ardian Xhakak i kanë bërë fillimisht thirrje të ndalojë. Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, 24-vjeçari i identifikuar si Mikhail Zorin ka tentuar të largohet, por 2 efektivët shqiptarë kanë bërë ndalimin i tij. Në këtë moment 24-vjeçari është kundërpërgjigjur duke përdorur spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij. Ndërkaq është zbuluar se 24 vjecari nuk ishte i vetëm. 

Burime zyrtare bëjnë me dije se janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull të identifikuar si rusja e identifikuar si Svetlana Timofoeva 33 vjeçe dhe ukrainasi F. A., 25 vjeç që shoqëronin këtë person. Ato po qëndronin në një makinë “Chevrolet camaro” me targa ukrainase AX 6200 IP, foton e së cilës e ka siguruar ekskluzivisht gazetari i Report Tv, Arsen Rusta. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina. Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur. Ushtarët që u gjetën në tokë pa ndjenja nga kolegët janë transportuar me urgjencë për në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtim mjekësor pasi kanë humbur shikimin.

Gjendja shëndetësore e ushtarëve
Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë zyrtare deklaron se gjendja shëndetësore e dy ushtarakëve Aldo Bici dhe Ardian Caka është stabile. 2 ushtarakët e lënduar në Uzinën e Gramshit janë në gjendje të stabilizuar në Pavionin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. “Ekipet e specializuara të Toksikologjisë, Djegie-Plastikës dhe ORL kanë kryer konsultat dhe ekzaminimet e plota për dy ushtarakët e ekspozuar ndaj gazit irritues, të cilët po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje të qëndrueshme, pa probleme akute të helmimit”.

Hetimet
Dyshimet kryesore janë se shtetasit e huaj janë agjentë rus që po mblidhnin informacione. Kjo sepse ato janë parë teksa kanë fotografuar ambientet e uzinës së armëve në Gramsh, teksa është nëj skemë e ngjashme e ndodhur edhe në vitin 2014 në bazën e Pashalimanit. Gjatë ndalimit të rusëve Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zori dhe ukrainasit me inicialet F. A., 25 vjeç janë sekuestruar tre pasaportat që këta persona mbanin me vete. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe  dokumentimin ligjor të saj. Për këtë ngjarje janë angazhuar  Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit  dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të  Forcave të Armatosura. Një grup ekspertësh nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme ishte në Uzinën Mekanike për të marrë informacione.

Uzina e Gramshit, e ndërtuar në vitin 1962, ka prodhuar në të kaluarën armë, fillimisht pushkë të tipir “Simonov”, kalibër 7.62 mm, dhe më pas kallashnikovë. Më pas ajo është përdorur për të ofruar shërbime prodhuese për industrinë e mbrojtjes me makineritë e saj të precizionit të lartë apo dhe riparime. Ndërsa deri në një vit më parë është përdorur për demontimin e armëve të tepërta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:21
Ministria e Shëndetësisë: Ushtarëve iu hodh gaz irritues, janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore

 

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se dy ushtarakët e lënduar në Uzinën e Gramshit janë në gjendje të stabilizuar në Pavionin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ekipet e specializuara të Toksikologjisë, Djegie-Plastikës dhe ORL kanë kryer konsultat dhe ekzaminimet e plota për dy ushtarakët, të cilët thotë se ishin të ekspozuar ndaj gazit irritues dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje të qëndrueshme, pa probleme akute të helmimit.

Ora 23:19
Sulmi në uzinën e armëve në Gramsh, skenar i ngjashëm me rastin në 2014 në bazën e Pashalimanit, lëvizjet e dyshimta

Rasti i sotëm në uzinën e armëve në Gramsh, nuk është i pari në vendin tonë, ky dyshimet janë se kanë qenë agjent rus. Në 14 tetor të vitit 2014-të tre shtetas rusë u ndaluan pranë bazës ushtarake të Pashalimanit, pasi dyshoheshin se ishin agjentë të FSB-së.

Ato janë prezantuar si gazetarë dhe se kishin ardhur në Shqipëri për të bërë një dokumentar për vendete anëtare të NATO-s. Aso kohe dyshimet kanë qënë të forta seagjentët e FSB-së po mblidhnin informacion mbi të gjitha bazat ushtarake të vendeve të NATO-s. Kjo sepse agjentët rusë të maskuar si gazetar pasi iu janë kontrolluar dokumentacioni dhe pajisjet e tyre, është parë se ata kanë fotografuar tërë bazën ushtarake të Pashalimanit, edhe në vendet ky është i ndaluar fotografimi.

Në mesin e tyre ishte dhe Sergej Belous, një emër jo i panjohur në mediat ruse. Belous, një muaj para kësaj ngjarjeje ishte ndaluar në Kosovë, ndërsa rreth 3 vite më parë u raportua se ai ishte arrestuar nga autoritetet ukrainase.

Prej asaj kohe, baza e Pashalimanit është vënë nën ruajtjen e Gardës së Republikës.

Ora 23:17
Sulmi ndaj ushtarëve, Ministria e Mbrojtjes jep detaje: U vunë re lëvizje të dyshimta që në orën 17:40! Roja njoftoi përgjegjësin

1661030225_fg3.jpg

Rreth orës 17:40 të ditës së sotme (e shtunë 20 gusht), roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë. Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij. Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdorur spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.

Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina.

Shërbimet e Policisë  bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25  vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur.

Në vendngjarje ndodhen edhe përfaqësues të Policisë Ushtarake dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit po koordinojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërsa dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Ora 23:05
U sulmuan nga agjentët rusë e ukrainas, kush është ushtaraku shqiptar në uzinën e Gramshit që mbeti i lënduar

1661029344_adrian.jpg

Report Tv ka mësuar identitetin e ushtarit tjetër shqiptar që ka mbetur i plagosur si pasojë e sulmit në uzinën e armëve në Gramsh. Ai është Ardian Xhaka. Policia njofton se ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Ora 22:55
EMRAT/ Kush janë rusët që tentuan të hyjnë në Uzinën e armëve në Gramsh

1661028839_Sequence03.01171124.Still057.jpg

Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe dhe Mikhail Zorin, 23 vjeç janë dy rusët  të arrestuarit nga policia pasi tentuan të hyjnë me forcë në Uzinën e armëve në Gramsh. Ende nuk dihet identiteti i ukrainasit që ishte së bashku me ta.

Ora 22:40
Sulmi ndaj ushtarëve në Gramsh/Drejtori i uzinës për Report Tv: Jam në punë, me atë po merrem

 

Drejtori i Uzinës së armëve në Gramsh Lorenc Zani tha për Report Tv se aktualisht është duke punuar dhe se ka dijeni për sulmin e ndodhur mbrëmjen sotme në uzinë ndaj ushtarëve, por pa dhënë inforamcione të tjera.

Ora 22:34
EKSKLUZIVE/ Kjo është makina ku ishin kamufluar 2 rusët dhe ukrainasi që sulmuan ushtarët shqiptar në uzinën e armëve në Gramsh

1661027623_makina.jpg

Report Tv ka siguruar foton ekskluzive të makinës me targa ukrainase në të cilën qëndronin 2 rusët dhe 1 ukrainas të cilët sulmuan ushtarët shqiptar. Siç shikohet makina tip 'Chevrolet' është me targa ukrainase, teksa kanë nisur hetimet se kujt i përket kjo makinë. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën me dije se 2 shtetasit e huaj kanë hyrë në vendin tonë në mënyrë legale.

Ora 22:30
U sulmuan nga 2 rusë dhe 1 ukrainas, ja cili është njëri prej ushtarëve të lënduar

1661028195_Screenshot1.jpg

Ildi Bici është njëri prej ushtarëve, i cili ka mbetur i lënduar pas sulmit nga 2 rusët dhe 1 ukrainas në uzinën në Uzinën ushtarake në Gramsh.

Ora 22:16
Rreth 2 orë pas incidentit, reagon Ministria e Mbrojtjes: Ja si është gjendja shëndetësore e ushtarëve

 

Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh. Më shumë se 2 orë pas ngjarjes ka reaguar Ministria e Mbrojtjes.

“Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.

Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Gjendja shendetesore e dy ushtarakeve shqiptare eshte e stabilizuar”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Ora 22:09
Arrestohen 2 rusët dhe ukrainasi që sulmuan ushtarët në Uzinën e armëve në Gramsh! Dyshohet se janë agjentë të shërbimeve sekrete

1661026357_Screenshot4.jpg

Dy rusë dhe 1 ukrainas janë arrestuar nga policia pas sumit ndaj ushtarëve në Uzinën e armëve të Gramshit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se dy kanë qëndruar në automjet dhe 1 është afruar në perimetrin e uzinës për të bërë fotografi. Ushtarët i janë afruar për të parë se përse ishte në bazën ushtarake. Ai i ka hedhur sprajt në fytyrë por është neutralizuar menjëherë. Shërbimet e policisë arrestuan edhe 2 të tjerët.

Dyshohet se janë agjentë të shërbimeve sekrete ruse që kanë rekrutuar dhe një ukrainas. Është sekuestruar nga policia sprajti, automjeti që përdornin dhe aparati fotografik.

Ora 22:03
Del FOTO e ushtarëve që u sulmuan në uzinën e armëve nga 2 rus dhe 1 ukrainas, me sy të fashuar në spitalin e Traumës

1661028397_shqiptarja.jpg

Report Tv ka siguruar fotografitë e dy ushtarëve që ndodhen në spitalin e Traumës pasi u sulmuan nga 2 rusë dhe 1 ukrainas në Uzinën e Armëve në Gramsh. Në pamje duket se i kanë sytë e fashuar pasi kanë probleme me shikimin prej sprajtit që i është hedhur në fytyrë.

Ora 21:53
Ushtarët në uzinën e armëve në Gramsh u gjetën në tokë pa ndjenja, dyshohet se kanë humbur shikimin

 

Tre personat që kanë tentuar të hyjnë në perimetrin e uzinës së armëve në Gramsh kanë goditur ushtarët, të cilët janë gjetur në tokë nga kolegët por pa ndjenja. Ata ndodhen aktualisht në spitalin e Traumës ndërsa mësohet se kanë humbur shikimin.

Ora 21:50
Sulmi ndaj ushtarëve në Gramsh, rusët prej disa ditësh i ishin afruar Uzinës! Pasi u pikasën, i spërkatën rojet

 

Burime për Report Tv bëjnë me dije në sulmin ndaj ushtarëve në Gramsh se ishin 2 rusë dhe një ukrainas. Sipas informacioneve të para, ata bënin xhiro prej disa ditësh pranë uzinës dhe mbrëmjen e sotme kanë tentuar të hyjnë në perimetrin e uzinës por janë pikasur nga rojet dhe më pas rusët i kanë hedhur sprajt në fytyrë. Vetëm një prej rusëve është kapur dhe neutralizuar nga rojet.