TIRANË - Forumi i grave të Partisë Drejtësi Integrim ka mbështetur protestën kundër zvarritjes së pajustifikueshme të miratimit të rezolutës për zgjidhjen e çështjes came, që do të mbahet ditën e enjte para parlamentit të Shqipërisë.

Forumi ka ftuar “të gjithë bashkombasit që të dëshmojnë vetëdije dhe krenari kombëtare duke marrë pjesë masivisht në këtë protestë paqësore. Projekt-rezoluta adreson më së miri një tragjedi shqiptare, që pret 70 vjet të zgjidhet dhe çdo indiferencë apo vonesë e mëtejshme është e papranueshme.

Është e pakuptueshme se si klasa politike shqiptare, ka treguar më shumë dinjitet, duke e shtruar çështjen çame me kurajo që në fillimin e tranzicionit, atëhere kur vendi ynë ishte i mjeruar prej komunizmit, ndërkohë tani që jemi futur në dekadën e tretë të demokracisë, përpjekjet për ta zgjidhur këtë çështje janë duke u penguar.

Genocidi ndaj shqiptarëve të çamërisë nuk kurseu mijëra gra, pleq e fëmijë, dhe rezoluta e propozuar është i vetmi dokument që vë sadopak në vend këtë padrejtësi të madhe”- thuhet në deklaratën e Forumit të Grave, -“prandaj thirrja jonë i drejtohet veçanërisht dhembshurisë të të gjitha grave shqiptare, që në shenjë respekti për viktimat e pafajshme, të solidarizohen me ne dhe të marrin pjesë në protestën tonë në ditën e enjte”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)