Në kryeqytetin e Senegalit, Dakar në dhjetë vitet e fundit gjithnjë e më shumë gratë angazhohen në biznesin e automobilave, shkruan Anadolu Agency (AA).

Papunësia e lartë, i ka "detyruar" të bëjnë punën e "burrave". Ndonjëherë ato kanë kabinat lëvizëse në rrugë, ku kryejnë riparime të vogla, ndërsa kanë edhe dyqanet e tyre të riparimit.
Njëra nga këto gra është edhe Ndeye Coumba Mbengue, e cila në një bisedë me gazetarin e AA theksoi se zejën e kishte mësuar në një qendër trajnimi, e cila u hap në projektin e përbashkët të Japonisë dhe Senegalit. Menjëherë pas kësaj, ajo ka punuar në fabrikat e kompanive të njohura franceze dhe japoneze të makinave.

senegal grate mekanike

Megjithatë, ajo u largua sepse donte që të hapte dyqanin e saj për riparimin e makinave. "Nuk ka shumë femra në këtë sektor. Kam hapur këtë dyqan që të mund të punoj, por edhe t'ia mësoj grave të tjera këtë zeje," tha Mbengue, duke shtuar se shumë kompani nuk duan të punësojnë gra, sepse besojnë se në një moshë të caktuar do të humbasin fuqinë e tyre. Megjithatë, ajo beson se gratë riparojnë makinat si burrat, nëse jo edhe më mirë se meshkujt.

"Aktualisht këtu punojnë dhjetë gra, prej të cilave disa janë mjeshtre, dhe disa asistente. Që kur është hapur kjo punëtori, zejen e kanë mësuar më shumë se 30 gra. Shumica prej tyre tani janë duke punuar në kompanitë e mëdha. Disa kanë hapur dyqanet e tyre", tha Mbengue.

Me këtë punë dy vjet më parë filloi të merret edhe 20 vjeçarja Ndack Diagne, e cila theksoi se bënë punë të rënda fizike, por se ajo këtë e bën me dashuri.

"Këtë profesion kam zgjedhur sepse e dua. Makinat janë pasioni im. Këtë punë kamë mësuar nga mësueset e mia. Fizikisht kjo është punë e vështirë, por i përballojmë disi", thot Diagne.

Ajo theksoi se gratë në këtë biznes janë të suksesshme si burrat, dhe pas mbylljes së dyqaneve, ato kthehen në shtëpi për t'iu përkushtuar familjes.
Mariama Sarr, 18 vjeç është një tjetër grua, e cila kohët e fundit ka filluar me këtë punë.

"Unë punoj për të fituar para dhe për të ushqyer familjen. Ne gratë nuk duhet të varemi nga burrat dhe prindërit. Do të merrem me këtë biznes dhe pasi të martohem, sepse ky është profesioni im. Është paksa e komplikuar, por besoj se do të kem sukses", tha Sarr.