KORCE - Vrasja e 37-vjeçares nga Tirana, Fatbardha Tafa për një varëse floriri, ka shtuar frikën tek të gjitha femrat në qytetin e Korçës, të cilat tashmë preferojnë që bizhuteritë e florinjta apo dhe aksesorët e ndryshëm t’i lënë në shtëpi.

Të trembura nga ngjarjet e fundit ato shprehen se kanë frikë të mbajnë bizhuteri me vlerë apo dhe aksesorë të thjeshtë pasi në çdo moment mund të bëhen pre e grabitësve. Femrat në qytetin juglindor kanë preferuar t’i lenë bizhuteritë në shtëpi, jo vetëm gjatë shëtitjeve në bulevardet e Korçës, por edhe në festat e mëdha.

Një fenomen i tillë është vënë re gjatë edicionit të gjashtë të festës së birrës. Në pesë netët e kësaj feste tek pjesa më e madhe e femrave mungonin bizhuteritë dhe aksesorët e përhershëm. E ndërsa dënojnë veprimin e kryer në Tiranë, ku 37-vjecarja, Fatbardha Tafa u vra për një varëse floriri ato pohojnë gjithashtu se kanë frikë të mbajnë bizhuteri dhe aksesorët aq shumë të dëshiruar.

Vënia e bizhuterive të ndryshme duket se me kalimin e viteve do të mbetet thjesht një dëshirë për femrat, pasi tashmë mbajtja e tyre mund t’u kushtojë edhe jetën.

(da.is/Shqiptarja.com)