Të afërmit e ushtarëve rusë dhe bashkëshortet e tyre që janë angazhuar në luftën në Ukrainë, kanë lënë kurora lulesh te Varri i Ushtarit të Panjohur në muret e Kremlinit të shtunën, kur janë bërë 500 ditë që nga mobilizimi.
Bashkëshortet e disa rezervistëve, që janë thirrur për shërbim në vjeshtën e vitit 2022, kanë bërë fushatë që burrat e tyre të lirohen nga detyra dhe të zëvendësohen nga ushtarët me kontratë.
Thirrjet e tyre nuk janë transmetuar nëpër mediat e kontrolluara nga Kremlini dhe disa politikanë të afërm me presidentin Vladimir Putin kanë bërë përpjekjet që gratë e ushtarëve t’i cilësojnë si ndihmëse të Perëndimit.
Mobilizimi i më shumë se 300 mijë rezervistëve i urdhëruar nga Putini nxiti pakënaqësi të mëdha dhe shumë rusë kanë ikur me qëllim që të shmangin thirrjet për ushtri.
Për shkak të refuzimit të burrave, ushtria ruse ka kërkuar vullnetarë. Autoritetet kanë thënë se deri në 500 mijë persona kanë nënshkruar kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes dhe se janë të angazhuar në luftën në Ukrainë.