Raportet historike mes shqiptarëve dhe grekëve kanë qenë të trazuara në aspektin politik, por në anën sportive të dyja palët kanë dhënë dhe kanë marrë mes tyre. Nëse do lëmë pas peshëngritjen, ku ekipi grek na 'rrëmbeu' kampionë si Pirro Dhima apo Luan (Leonidha) Shabani, futbolli ka shfaqur një plan më të gjerë.

Për grumbullimin e fundit të kombëtares shqiptare, trajneri Sylvinho ka thirrur për herë të parë në ekip mbrojtësin e AEK-ut të Athinës, Stavro Pilo (mund ta hasim edhe Stavros Pilios). 25-vjeçari është lindur në Rodos nga prindër shqiptarë që emigruan herët për në vendin fqinj. Pilo bëhet kështu shqiptari i shtatë që ka lindur në Greqi dhe do mbajë veshur fanellën e Kombëtares.

Por kush janë të tjerët?

Historia fillon që pas Luftës së Dytë Botërore, me futbollin që luhej edhe pse Evropa sapo kishte dalë nga shkatërrimet më të mëdha që ishin parë ndonjëherë.

Giacomo Poselli (22/07/1921 - 30/08/2007 'ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare'), portieri me origjinë italiane dhe i lindur në Selanik u bashkua me Flamurtarin e Vlorës pasi në vitin 1932 familja e tij u vendos në Vlorë kur Giacomo ishte vetëm 11 vjeç.

Aq shumë përshtypje la 24-vjeçari (asokohe) sa u grumbullua nga kombëtarja shqiptare e futbollit duke luajtur shtatë herë në katërkëndësh. Ai debutoi më 13 tetor 1946 në fitoren 1-0 të Shqipërisë kundër Rumanisë me golin e Qamil Telitit. Giacomo Poselli është i huaji i vetëm që nuk ka pasur asnjë rrënjë shqiptare që ka veshur fanellën kuqezi dhe për më tepër kishte lindur në Selanik.

Thomas Strakosha, Mario Mitaj dhe Enea Mihaj janë të njohur pasi vijojnë të jenë pjesë e kuqezinjve, duke u bërë shqiptarët e radhës që kanë lindur në Greqi dhe kontribuojnë për ekipin e Shqipërisë.

Stivian Janku dhe Ardit Toli janë emrat që kanë bërë mirë në Superligën shqiptare dhe kanë marrë minuta me Kombëtaren, teksa edhe ata kanë lindur në Greqi. Janku ka bërë dy paraqitje me Shqipërinë (ka lindur në Janinë), ndërsa Toli (lindur në Pire) ka luajtur vetëm një herë.

Në historinë sportive mes vendeve ka edhe futbollistë shqiptarë të lindur në Greqi që kanë refuzuar Shqipërinë për fanellën greke, si Sotir Nini, Panajot Kone, Fiorin Durmishaj apo Andrea Ndoji.

Të lindur e formuar jashtë Shqipërisë dhe me mundësi për të përfaqësuar të dyja ekipet, zgjedhjet janë personale dhe historia sportive i ka parë të dyja krahët e medaljes, me tifozët që në fund janë ata që do e përdorin ose jo termin me konotacion negativ, 'grekët'.