Detaje të reja janë mësuar nga arrestimi i 50-vjeçarit nga Saranda, Edmond Musa, i njohur me pseudonimin “Çimoni”, dy ditë më parë në brigjet e Igumenicës, pasi u kap duke transportuar një ngarkesë kanabisi.

Mediat greke shkruajnë se me ndihmën e një zhytësi privat, nga brendësia e mjetit lundrues të mësipërm u gjetën pesë pako plastike të improvizuara që përmbanin një sasi lënde narkotike, ndoshta kanabis të papërpunuar, me një peshë totale bruto prej 79.75 kilogramësh.

Pas hetimeve, u gjet një qese shtesë, e cila ishte pjesë e ngarkesës totale dhe përmbante gjashtë pako najloni me kanabis të papërpunuar, me një peshë totale bruto prej 56.13 kilogramësh.

Sasia totale e kanabisit të papërpunuar që u gjet dhe u sekuestrua arriti në 135.88 kilogramë.

Policia e Igumenicës, e akuzon Edmond Musën, person me precedentë të mëparshëm penal, për shkelje të ligjit "për substancat që shkaktojnë varësi", pasi tentoi të importonte ilegalisht një sasi të madhe droge në vend, si dhe për "hyrje të paligjshme në vend" pasi nuk kishte dokumente të ligjshme udhëtimi.

Përveç kësaj, u sekuestruan droga, varka e përdorur si mjet transporti dhe një telefon celular.

Vlera e sasisë së sekuestruar të drogës arrin në katërqind mijë euro (400,000 €).