ATHINË, 24 nëntor /ATSH-ANA-MPA/ - Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit financiar "Fitch" ka ruajtur klasifikimin "B" për Greqinë me perspektiva të qëndrueshme duke iu referuar "përshtatjes së konsiderueshme fiskale" të Athinës vitet e fundit.
Në të njëjtën kohë "Fitch" parashikon për ekonominë greke ritme zhvillimi 0,5 për qind në 2014 dhe 2,5 për qind në vitin e ardhshëm, pra në 2015.
Sipas raportit të agjencisë së vlerësimit, buxheti i Greqisë është në rrugë të mbarë për arritjen e objektivave të 2014-ës, fakt që thekson përshtatjen e konsiderueshme fiskale në vitet e fundit.
Më tej, "Fitch" parashikon se suficiti primar këtë vit do të jetë 1,5 për qind.
Përsa i përket vlerësimit aktual të trojkës, "Fitch" ka mendimin se do të finalizohet në fund të 2014-ës, mirëpo, nënvizohet se ka një rrezik që të vonojë deri në fillim të 2015-ës.
"Zgjedhjet parlamentare në Greqi, tremujorin e parë të 2015-ës janë një skenar i mundshëm dhe ekziston rreziku që qeveria e ardhshme greke të mbështesë më pak reformat ekonomike dhe financiare", vë në dukje agjencia "Fitch"./ a.jor.








