Greqi, i arratisuri Marian Kola
vritet në përplasje me policinë

Greqi, i arratisuri Marian Kola<br />vritet në përplasje me policinë
GREQI -  Marjan Kola, personi më i kërkuar nga policia greke ka mbetur i vrarë gjatë një përleshjeje me trupat speciale, në zonën e Shulit, midis Janinës dhe Igumenicës, orët e para të mëngjesit të sotëm (e diel 21 korrik).

Forcat policore po vazhdojnë kërkimet për shokun e Kolës, Ilir Kupit, i cili mendohet se është plagosur dhe ndodhet diku jo shumë larg fshatit Vrosina ku ndodhi përleshja.

Trupi i të vrarit mbeti në vendgjarje për orë të tëra, në pritje të mbërritjes së mjekut ligjor.

Sipas njoftimeve të para, përveç një kallashnikovi, Marjan Kola kishte në xhep një granatë, ndërsa iu gjet edhe një çantë shpine, brenda të cilës kishte krehëra me fishekë, granata, një pistoletë, por edhe ushqime të gatuara.

Pamja e tij e jashtme ka çuar policinë në konkluzionin se dy të arratisurit nga burgu i Trikalas nuk fshiheshin në pyje ditët e fundit, por ishin strehuar në ndonjë banesë. Një gjë e tillë hedh poshtë të gjitha skenaret për strehimin e tyre nëpër stane, male e gërxhe.

Forcat policore i diktuan ata pas orës 04:30 të mëngjesit të sotëm, të ecnin me këmbë në rrjedhën e lumit Kalamos, relativisht larg kufirit me Shqipërinë.

Për të diktuar të arratisurit janë përdoruar kamerat termike. Ndërmjet policisë dhe dy shqiptarëve është bërë një përleshje e vërtetë, ndërkohë që burime të pakonfirmuara nga portali epirusgate.gr bëjnë të ditur se dy variantet për vrasjen e Kolës janë nga breshëria e plumbave të lëshuara me armë automatike ndaj tij, ndërsa varianti i dytë bën fjalë për vrasje me qitje nga larg me Snajper.

Nesër pritet qe të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore në spitalin e Janinës, ku edhe do të jepen konkluzionet përfundimtare.

HISTORIKU
Vrasja mëngjesin e të dielës, 21 korrik 2013, e Marjan Kolës, duket se shënon një nga aktet përfundimtare të historisë së arratisjes së bujshme nga burgu i Trikallas.

Mbrëmjen e 22 marsit 2013 disa të burgosur u arratisën nga ai burg, duke shfrytëzuar trazirat që po vazhdonin atje që prej tri ditësh.

Autoritetet greke vetëm të nesërmen e arratisjes bënë të ditur numrin e saktë të të arratisurve.

Sipas tyre ishin arratisur 11 shtetas shqiptarë, që vuanin dënime të ndryshme për vjedhje dhe grabitje. Nisur nga fakti se prej të burgosurve ishte shtirë me armë zjarri kundër rojave, duke plagosur tre prej tyre, ministria e drejtësisë e cilësoi arratisjen si një “sulm ushtarak të mirëorganizuar”.

Me publikimin e emrave dhe fotografive të të arratisurve, mesditën e 23 marsit, filloi dhe një nga operacionet më të mëdha në vite të policisë greke, për gjetjen dhe kapjen atyre që kishin realizuar arratisjen më masive nga burgjet greke në dekadat e fundit.

Sipas mediave deri para dy javesh ky operacion kishte kushtuar të paktën 1 milion euro.

Tre prej të arratisurve u kapën vetëm disa orë pasi ishin larguar nga burgu i Trikallas.
Disa ditë pas arratisjes, një grup i tyre u përlesh me policinë në Korinth, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti e vrarë një e re greke, që u ndodh rastësisht në vendngjarje.
Një muaj e gjysmë më vonë, në fillim të majit u kap në Athinë Ermal Lita, menjëherë pas kryerjes së një grabitjeje me armë në një supermarket, në Peristeri.

Më 2 korrik, në përleshje me policinë në Etoloakarnani të Greqisë perëndimore, mbetën të vrarë, Flamur dhe Ermir Sinani, përkatësisht xhaxha e nip.


I pari i arratisur nga burgu i Larisës në 2006, i dyti, i arratisur nga burgu i Trikalas më 22 mars 2013.

Ekzekutimit të tyre i kishte paraprirë vrasja e një polici 37 vjeçar grek në një tjetër shkëmbim zjarri midis të arratisurve dhe policisë.

Më herët, më 18 maj, dy persona realizuan një grabitje me armë në një bankë të Larisas, dhe mundën të marrin një shumë parash prej një milion euro. Autorët ishin fiksuar nga kamerat e sigurisë të bankës dhe nuk ishin të maskuar. Policia tha se ata ishin Krenar Çala dhe Admir Murataj. Të dy këta mendohet se tashmë gjenden jashtë Greqisë. Jashtë Greqisë mendohet se është larguar edhe Fatos Sylaj.

Më vrasjen e Marian Kolës dhe ndjekjen e Ilir Kupit, i vetmi person për të cilin nuk ka asnjë informacion, është Taulant Luli.

Kështu, plot katër muaj që nga arratisja, kapitulli konsiderohet i mbyllur vetëm për Ermir Sinanin dhe Marian Kolën që humbën jetën në përleshje me forcat e policisë greke, si dhe për Ermal Litajn, që ndodhet përsëri prapa hekurave të burgut.

Ndoshta ky kapitull po shkon drejt mbylljes edhe për Ilir Kupin, ndërkohë që per katër të tjerët, policia greke thjesht shpreson që mos të konstatohet kurrë më prania e tyre në Greqi.

Ndoshta me vrasjen e Kolës do të mbarojnë edhe skenaret për implikimin e tyre me UÇK, grabitjet e vrasjet e ndryshme të cilat u atribuoheshin atyre, si edhe me grabitjen e benesës së Argita Malltezit

gazeta greke
(Në foto: Gazetat greke japin lajmin e vrasjes së Marian Kolës sot në mëngjes nga policia greke)

ilir kupa
(Në foto: Ilir Kupa, i cili arriti t'i shpëtojë rrethimit)

lumi
(Në foto: Pamje e vendit ku ndodhi përplasja me policinë, ura mbi lumin Kalama)


  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën