GREQI - Kryeministri grek, Aleksis Tsipras pritet të riorganizojë kabinetin qeveritar, pas një rebelimi brenda partisë së tij mbi votimin në parlament të masave shtënguese që kërkoheshin për rihapjen e bisedimeve.

Riorganizimi pritet të ndodhë sot ose në fundjavë.

Siç njofton gazeta greke “Kathimerini”, Tsipras u takua dje me disa këshilltarë të rëndësishëm për të diskutuar përgjigjen ndaj refuzimit të 39 deputetëve të SYRIZA-s për të votuar paketën e shpëtimit në parlament.

Është e sigurtë se kryeministri do të zëvendësojë pesë ministra të cilët votuan kundër masave, por dje nuk u vërejt të ketë marrë ndonjë vendim mbi atë nëse riorganizimi do të bëhet vetëm për këto poste apo do të ketë ndryshime më të thella në kabinet.

Mendohet se, nëse Tsipras nuk njofton për një kabinet të ri sot, atëherë do ta bëjë javën e ardhshme pas një raundi të dytë reformash të kërkuara nga ana e institucioneve./ATSH

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)