Follorina- Një aksident i rëndë ka ndodhur në Greqi, ku dy të rinj, 16 dhe 18 vjeç kanë humbur jetën, teksa një 17-vjeçar shqiptar u plagos rëndë dhe po lufton për mbijetesë në Spitalin “Papabilolaou” të Selanikut.
Ngjarja ndodhi në Miliona të Prespës, kur mjeti ku udhëtonin tre shokët doli nga rruga dhe u përplas me një pemë. Ata ishin nisur nga Follorina për në Agio Germano.
Si pasojë e aksidentit ndërruan jetë 16-vjeçari Kostantino dhe 18-vjeçari Stavro, ndërkohë është plagosur rëndë 17-vjeçari shqiptar Klajdi Pero, i njohur edhe si Nikos.
Një prej viktimave mësohet se është djali i shefit të rajonit të policisë së zonës, që u njoftua nga shërbimi i ambulancës që të shkonte në vendngjarje pas aksidentit.
Rrethanat dhe shkaqet e aksidentit mbeten ende të panjohura, por dyshohet shpejtësia e lartë dhe humbja e kontrollit të mjetit, informon media.
Ndërkohë që në media është bërë edhe apel për të dhuruar gjak për të shpëtuar jetën e 17-vjeçarit shqiptar.