Kryeministri grek Mitsotakis njoftoi në parlament një paketë 150 milion euro për fermerët ndërsa masa të tjera lehtësuese do të njoftohen në rast të një takimi mes qeverisë dhe një përfaqësie të protestuesve. 

Qeveria greke do ta shpërndajë me hyrjen e vitit të ri 2026 fondin tek fermerët, duke e argumentuar atë si një fitim të munguar të prodhuesve. Mitsotakis pranoi se qeveria është vonuar në reagimin e saj për të stabilizuar situatën dhe gjithashtu tha se disa masa të tjera do të njoftohen si pjesë e lehtësimeve për fermerët që protestojnë prej rreth 3 javësh.

CNN grek raporton se qeveria synon një takim ballë për ballë të Mitsotakis me përfaqësuesit e fermerëve, të cilëve pritet tu propozohen edhe mekanizma të tjerë lehtësues për energjinë elektrike dhe çmimin e karburantit që do të pasqyrohet  direkt në pompat e stacioneve.

Kreu i ekzekutivit grek ndërkohë, përjashtoi shkrirjen e agjencisë së subvencioneve (OPEKEPE) me një tjetër (AADE) që do të ofrojë më shumë transparencë, sidomos pas skandalit me subvencionet që çoi në vonesat e pagesave dhe si rrjedhojë edhe në protestat e fermerëve.

Këta të fundit kanë nisur një fushatë bllokadash të rrjet rrugor, doganave dhe porteve që kanë futur në kaos vendin, duke kërcënuar me shtrirjen e tij edhe përgjatë festave në rast të mos plotësimit të kërkesave që I kanë dërguar ekzekutivit disa ditë më parë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:58
Greqia e ‘paralizuar’ nga protestat! Aksi Kakavijë-Janinë edhe sot i pakalueshëm për 3 orë! Do të lejohen vetëm mjetet që kanë emergjenca

1765958495_agroteseurokinissi2.jpg.webp

Foto: Rrugë e bllokuar nga fermerët grekë

Për shkak të protestës që zhvillojnë fermerët në Greqi, aksi rrugor Kakavijë-Janinë nuk do të jetë funksional për qarkullimin e automjeteve nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën shqiptare).

Policia e kufitare e Kakavijës bën me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve për emergjenca shëndetësore.

 “Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore”, njoftoi sot policia.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

Greqia është “paralizuar” prej më shumë dy javësh nga protestat e fermerëve, të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni.

Ata janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria.