Report TV mëson se taksa e re që do të vendosë qeveria për të gjitha mjetet e huaja që do të hyjnë në Shqipëri do të jetë në formën e një tarife që do të prihet në momentin që hyn në vend përmes pikave kufitare, dhe do të varet edhe nga ditët e qëndrimit.
Sa më shumë ditë qëndrimi aq më e lartë edhe tarifa që do të paguhet për qarkullimin. Fashat e tarifave dhe metodologjia që do të përdoren aktualisht po studiohen nga Ministria e Infrastrukturës, dhe më pas do të kalojnë për finalizim të Ministria e Financave.
Kjo skemë e taksimit përdoret edhe në vendet evropiane e njohur si “E-Vignette”, dhe synimi është që çdo përdorues do të paguaj.
Deri në fund të shtatorit në vendin tonë kanë hyrë 2.6 milionë makina të huaja, të cilat e kanë paguar taksën e qarkullimit në momentin që janë furnizuar me karburant, njëjtë si edhe qytetarët shqiptarë.
Por me heqjen e taksës së qarkullimit nga karburantit dhe zhvendosjen e saj tek taksat e mjetit, është e nevojshme një formulë e re taksimi për mjetet e huaja.
Ndërsa në Shqipëri nga viti i ardhshëm taksa e qarkullimit nga qytetarët shqiptar do të paguhet një herë në vit bashkë me taksat e makinës. Kjo zhvendosje do të ulë çmimin e karburantit por nga ana tjetër do të rrisë deri në dyfishim taksat vjetore të mjetit.










Komente
Komento