GREQI - Faktin e tmerrshëm se kishte vrarë të shoqin, e firmosi pardje paradite në orën 10:30 në hetuesinë e qytetit të Patrës, “Vejusha e Zezë”, 54-vjeçarja shqiptare Eva Zhanga.

Minoritarja nga Saranda, e pagëzuar edhe me emrin Evangelina pranoi se ka qenë në prezencë kur u zhvillua vrasja tragjike e 43-vjeçarit biznesmen, Taso Cangaropulos, por tha se vrasësi ishte ish-bashkëshorti i 3-të, që ka vdekur nga “kanceri”. Në polici pati deklaruar se “Kur erdhi në shtëpi, i dhashë një kafe, por aty kisha futur brenda ilaç gjumi. Kur filloi të zalisej, ishte im shoq që e goditi me sqepar katër herë në kokë.

Kurse unë e godita me thikë, duke i futur thikën tri herë në fyt. Që të dy e morëm kufomën dhe e futëm poshtë në bodrum. Aty hapëm një gropë poshtë pllakës së dushit dhe e varrosëm. Pastaj u vendos sipër një pllakë e re dushi”. Në policinë e Patrës, dëshmuan edhe dy persona të tjerë, një 51-vjeçar që ishte pronari i shtëpisë ku u gjet kufoma dhe një shqiptar, i cili dyshohet të jetë personi që telefonoi në një emision televiziv dhe dha informacione për ngjarjen.

“Unë thjesht dhashë banesën me qira dhe nuk di asgjë tjetër”,- tha 51-vjeçari. Ndërkaq, shqiptari tha se “Më kërkuan të shkatërroja dushin, mirëpo unë nuk pranova, pasi pronari i shtëpisë nuk më kishte dhënë lejë”.

Cila është “Vejusha e Zezë”
Në regjistrat e gjendjes civile të Komunës së Dhivrit, ajo figuron me emrin Panago. Më tej e ka ndërruar në Evangjelia, për të pësuar transformimin e fundit në Greqi, ku më së shumti njihet thjesht Eva. Është person në kërkim nga policia shqiptare dhe Interpol Tirana. Pasi vrau të shoqin në Sarandë dhe iku në Greqi, iku në Amerikë, ku gjeti një burrë të pasur me të cilin u martua e fitoi shumë para.

E bindi burrin e radhës që të kthehen në Greqi, ku e braktisi në një azil pleqsh. Mbi të rëndojnë denoncime për rrëmbim pasurie nga familjarë të 13 burrave pleq në Kretë, Volos, Selanik dhe Peloponez. Bëmat e Eva Zhangës vërtiten sa në instinktin e vrasëses, aq edhe në vesin e mashtrimit. Me emrin e saj janë të lidhura disa raste mashtrimesh me premtimin e sigurimit të vizave për në Amerikë.

Një aftësi tjetër e saj për të mashtruar ka funksionuar në rastet e kompanive të mëdha greke, kur ka marrë shuma të mëdha nga biznesmenë, në shkëmbim të zgjidhjeve dhe kontratave ekonomike të kërkuara prej tyre. Ndërkohë ajo kishte aftësinë të “ngjiste” shkallët e shoqërisë, duke ofruar trupin për njerëz të moshuar dhe të pasur.

Teknikat e përdorua prej saj për të përfituar janë nga më të sofistikuarat. “Vejusha e Zezë” apo “gruaja panterë” apo “femra merimangë” apo “ngrënësja e burrave” i shtynte të moshuarit me të cilët afrohej, që të merrnin kredi në banka ose të shisnin pronat. Mësohet se viktimë e mashtrimit të saj ka rënë edhe një gjyqtar me emër në Greqi, tani në pension, të cilit ajo ka mundur t’i marrë 1 milionë euro.
 
Shkrimi u publikua sot (11.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)