Alket Rizai, shqiptari i dënuar për vrasje dhe i njohur për dy arratisje spektakolare nga burgjet greke, është rikthyer në qendër të vëmendjes për mënyrën se si ka përfituar vazhdimisht nga lejet e daljes nga burgu.

Sipas mediave në Greqi, që nga viti 2021, Rizai kishte marrë plot 16 leje për të dalë nga burgu, pavarësisht historikut të tij kriminal dhe dy arratisjeve me helikopter nga burgu i Korydallos.

Megjithatë mediat greke vënë në pikëpyetje se si mund të merrte leje një person që konsiderohej i rrezikshëm.

Si jepen lejet?

Lejet e të burgosurve jepen pas plotësimit të disa kushteve ligjore. Këshilli i burgut shqyrton kërkesën dhe jep mendimin e tij, ndërsa prokurori merr vendimin përfundimtar, duke vlerësuar sjelljen e të dënuarit, qëndrimin e tij në burg dhe mënyrën se si ka respektuar lejet e mëparshme.

Sipas raportimeve, gjatë lejes së fundit Rizai u përfshi në një incident të armatosur jashtë një lokali plazhi në Saronida. Pas ngjarjes, autoritetet greke vijojnë kërkimet për të dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij.

Arratisjet me helikopter

Më 4 qershor 2006, Rizai u bë i njohur kur u arratis me helikopter nga burgu i Korydallos me personin numër 1 të kërkuar nga ELAS-i, Vasilis Paleokostas, duke shkaktuar reagime dhe kritika të forta për sigurinë në burg.

Më 22 shkurt 2009 , ai u arratis përsëri me helikopter nga burgu i Koridallos me Paleokostas. Pas disa muajsh, ai u arrestua përsëri në Grammatiko, së bashku me bashkpunëtorin e tij.