ATHINË, 20 dhjetor /ATSH-ANA-MPA/ - Kryeministri grek, Antonis Samaras ka depozituar një padi kundër deputetit të Grekëve të Pavarur (ANEL), Pavlos Hekalis, pas deklaratave të këtij të fundit, në televizionin "Mega Channel", të premten në mbrëmje, ku pretendonte se i ishte kërkuar të votonte për presidentin e ri të republikës në këmbim të favoreve ekonomike.
"Shpifjet dhe mizerabiliteti janë në kulmin e tyre. Kryeministri depozitoi menjëherë një padi dhe kërkon ndërhyrjen e autoriteteve të prokurorisë", thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit të kryeministrit grek.
Mesditën e të premtes, kryetari i ANEL, Panos Kamenos ka dalë në një konferencë për shtyp që të denoncojë publikisht tentativën e korruptimit të deputetit të kësaj partie, Pavlos Haikalis, me qëllim që të votonte për presidentin e republikës.
Në prani edhe të zotit Hekalis, Kamenos tregoi një CD me material të regjistruar, video dhe zanor, nga takimet e deputetit me një person, "i cili e nxiti të votonte për presidentin, në këmbim të përfitimeve ekonomike".
Kryetari i Grekëve të Pavarur theksoi se i gjithë materiali i është dërguar drejtësisë, si dhe kryetarit të parlamentit, me qëllim që t'u jepet kryetarëve të partive parlamentare dhe paralajmëroi që nëse materiali nuk publikohej deri të hënën në mbrëmje, në prag të votimit të dytë, atëherë do të merrte përgjegjësinë ta publikonte vetë./ a.jor.