ATHINE-  Rreth orës 7.40 të mëngjesit të sotëm, në sheshin përpara parlamentit grek "Sintagma", anëtarë të partisë neonaziste "Agimi i Artë" janë përleshur me forca të policisë.

Shkak ka qenë tryeza sociale që partia neonaziste kishte organizuar për të shpërndarë falas ushqime të paketuara dhe të gatuara vetëm për grekët. Gjithçka ka nisur kur policia ka penguar mbërritjen në shesh të kamionit të mbushur me ushqime.

Rreth 40 anëtarë të "Agimit të Artë" kanë tentuar të çajnë radhët e forcave speciale të policisë, gjë që nuk është lejuar nga forcat e policisë, e cila ka përdorur gaz lotsjellësjellës për zmbrapsjen e neonazistëve.

Të detyruar, anëtarët e "Agimit të Artë" janë larguar rreth orës 8.00, nga sheshi përpara parlamentit dhe janë drejtuar së bashku me kamionin me ushqime në vendin e quajtur Stacioni Hekurudhor i Larisës. Këtu gjendeshin edhe zyrat e tyre qendrore, ku do të shpërndanin ushqimet, natyrisht vetëm për grekët, të cilët duhet të paraqisnin pasaportën dhe letërnjoftimin për të marrë paketat me ushqime.

Në vendngjarje u grumbulluan edhe me shumë neonazistë, të cilët kanë hedhur parrulla kundër qeverisë, trojkës dhe emigrantëve.Policia rrugore ndërpreu përkohësisht qarkullimin në rrugët në qendër të Athinës. Shpërndarja e ushqimeve ishte parashikuar të fillonte në orën 10.00.

"AGIMIT TE ARTE" NUK I PRANOHET QE TE DHUROJE GJAK VETEM PER GREKET


Pushteti lokal grek ka theksuar në të gjitha tonet e mundshme se nuk do të lejojë të materializohen projektet e Agimit të Artë për shpërndarjen e ushqimeve, barnave mjekësore, dhurimit të gjakut, etj.

Duhet përmendur se përpara disa ditësh nuk është lejuar nga disa spitale në Athinë e gjetkë që neonazistët të dhuronin gjak vetëm për grekët, sikundër edhe u është ndaluar anëtarëve të kësaj partie që të kryejnë kontrolle nëpër spitale për të gjetur e dëbuar personelin dhe pacientët me kombësi të huaj.

KRYEBASHKIAKU I ATHINES


Kryebashkiaku i Athinës, Jorgos Kaminis, ka theksuar se Agimit të Artë asnjëherë nuk i është dhënë leja për shpërndarjen e ushqimeve, aq më tepër këto ditë përpara Pashkëve Ortodokse.

“Ditët e dashurisë dhe të mirëkuptimit ka zgjedhur Agimi i Artë, për të kryer sfida, me mencat e urrejtjes, në sheshin qendror të kryeqytetit. Të tilla aktivitete sfidojnë çdo qytetar demokratik dhe dëmtojnë dhunshëm përpjekjen e vendit për rimëkëmbje, pasi i dërgojnë opinionit publik vendas dhe të huaj mesazhin se në kryeqytetin helen mbizotëron skamja dhe uria, e cila mund të përballohet vetëm me veprimtari raciste e ksenofobe”- ka thënë kryebashkiaku i Athinës, Kaminis.

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)