GREQI - Greva 10-ditore nga punonjësit e metrosë në kryeqytetin grek Athinë ka përfunduar pasi qeveria ka kërcënuar me arrestimin e tyre nëse ata nuk kthehen për të punuar.

Punonjësit kanë sfiduar vendimin e qeverisë dhe gjykatës, që të kthehen në vendet e punës duke protestuar kundër uljes prej 25% të pagave. Greva kishte paralizuar Athinën ku në sistemin e metrosë udhëtojnë më shumë se 1 milionë pasagjerë në ditë.

Edhe pse disa prej punëtorëve të transportit publik vazhduan grevën, disa stacione të metrosë janë rihapur rreth orës 15:00 të ditës së premte.

Më parë policia nxori me forcë rreth 50 punëtorë të cilët ishin ngujuar në një stacion metroje duke arrestuar disa prej tyre.

Athina është duke u përpjekur për të zbatuar masat shtrënguese që janë të papranueshme nga sindikatat.

Në mënyrë që të përmbushë angazhimet e saj ndaj kreditorëve ndërkombëtarë, Athina ka prezantuar një sërë shkurtimesh të pagave në sektorin publik dhe ka ngritur taksat që synojnë rritjen e të ardhurave.

Kjo është hera e parë që prej 2007, që ka imponuar ligjin e mobilizimit civil i cili mbart një dënim maksimal prej pesë vjet burg.


(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)