GREQI - Punonjës të shërbimeve publike në Greqi kanë nisur një grevë tjetër 24 orëshe, organizuar nga Anëtarët e Federatave të sektorit publik.

Protestuesit përfshirë punëtorë komunalë, mësues, shoferë të autobusëve dhe kontrollorë të trafikut ajror, u mblodhën para ndërtesës së Ministrisë së Punës në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, në shenjë proteste kundër masave të qeverisë për kursime dhe planeve për shkurtime të vendeve të punës.

Masat e fundit të ndërmarra nga qeveria greke kanë të bëjnë me luftimin e shpërdorimeve në sektorin publik, eficiencën e administratës publike dhe menaxhimin e borxheve të Greqisë.

Ekonomia greke është tani në vitin e pestë të recesionit dhe sipas të dhënave të Bankës Qendrore të vendit rimëkëmbja mund të fillojë në vitin 2014. Ndërkohë Kryeministri Antonis Samaras po përpiqet të bindë grekët se masat shtrënguese do të jenë të fundit dhe do të ndihmojnë në rrugën e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit.

(eç/lç/shqiptarja.com)