GREQI - Zhan Valzhanët e kohëve moderne: U shtir si nëpunës i zyrës së taksave për të marrë 7 kilogram bukë. E pabesueshme, por e vërtetë.

Në fshatin Tragana të Amaliadës një shtetas grek është shtirur si punonjës i Zyrës së Taksave të Amaliadës. Ai ka hyrë në një furrë buke gjasme për kontroll. Në atë moment gjendej vetëm punonjësi, ndërsa pronari mungonte. Shtetasi grek ka kërkuar të bëjë kontroll, por mungesa e pronarit e ka bërë që të “heqë dorë nga kontrolli” dhe t’i thotë punonjësit të furrës së bukës se do të kalonte më vonë për të kontrolluar librat e llogarive.

Para se të largohej i ka kërkuar punonjësit të furrës që t’i jepte me vete 7 kilogram bukë. Punonjësi ia ka vënë franxhollat e bukës në qese, por kur ka shkuar për të prerë faturën, shtetasi grek, i cili hiqej si nëpunës i zyrës së taksave i ka kërkuar që ose t’i presë gjysmën e faturës së vlerës reale, ose t’ja jepte pa para, duke premtuar se në të ardhmen do t’i ndihmonte atë dhe pronarin e tij që të mos paguanin taksa.

Punonjësi e ka ngrënë gënjeshtrën dhe nuk ia ka prerë faturën e 7 kilogramëve bukë me vlerë 12 euro.

“Punonjësi i zyrës së taksave” është larguar pasi ka marrë me vete veç 7 kilogramëve bukë edhe një kafe dhe një shishe me ujë, natyrisht pa paguar anjë cent.

Kjo ngjarje ka bërë bujë, duke shkaktuar ilaritet në mediat greke, por nuk është për të qeshur. Si rasti i mësipërm mund të ketë edhe të tjera edhe në të ardhmen.

Këto janë pasojat e krizës së rëndë ekonomike dhe sociale që po përjeton Greqia...

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)