ATHINE- Katër sondazhe të kësaj fundjave nga katër agjenci të ndryshme i japin avantazh konservatorëve të Demokracisë së Re, kundrejt partisë kryesore të opozitës së majtë SYRIZA.

Përqindjet ndryshojnë nga njëri sondazh në tjetrin, por të katër sondazhet vërtetojnë faktin që Demokracia e Re është në krye, me diferencë pothuajse të papërfillshme nga SYRIZA (përqindja varion nga 1,1% në 1.7% në varësi të sondazheve), ndërkohë qy dy partitë e tjera të koalicionit qeverisës (PASOK dhe Demokracia e Majtë) janë përkatësisht partitë e katërta dhe e gjashta.

Ajo që bie në sy në këtë sondazh është se Partia neonaziste “Agimi i Artë” është tashmë partia e tretë në spektrin politik grek, me një rritje të ndjeshme të ndikimit të saj në popull.

Ndërkohë që personi më i përshtatshëm për kryeministër konsiderohet kryeministri aktual, Samaras, i cili kryeson me diferencë kundrejt kundërshtarit të tij, Aleksis Cipras të SYRIZA.

Gjithsesi, sondazhet konsiderohen si fotografi e çastit në politikë, por nuk duhet lënë mënjanë edhe fakti që qytetarët grekë të pyetur, në masën 50% e konsiderojnë qeverinë trepartiake aktuale si qeverinë që ka nevojë vendi, kundrejt 45% që nuk e konsiderojnë si të mirë një qeveri të tillë.

Ndërkohë një qeveri koalicioni e kryesuar nga SYRIZA mbështetet nga 33% e qytetarëve të pyetur, në antitezë me një qeveri koalicioni me bosht Demokracinë e Re që mbështetet nga 44% e të pyeturve.

Redaksia online
(jd/sg/shqiptarja.com)