Greqi, studentët shqiptare marrin
përsipër bashkimin e emigrantëve

Greqi, studentët shqiptare marrin<br />përsipër bashkimin e emigrantëve
GREQI - 30 të rinj shqiptarë që studiojnë në universitete të ndryshme greke, kanë ndërmarrë një iniciativë mjaft të domethënëse dhe të rëndësishme: Me një letër të hapur drejtuar gjithë bashkatdhetarëve emigrantë, ata bëjnë thirrje për krijimin e një organizmi me të vërtetë përfaqësues për gjithë emigrantët shqiptarë në Greqi.

Me një gjuhë tepër të kultivuar dhe argumenta të bazuar, 30 studentët bëjnë një “radiografi” të gjithë problematikave të emigracionit shqiptar në Greqi gjatë dy dekadave të fundit, si dhe mënyrës së përfaqësimit të këtij emigracioni. “Ambiciet personale shpesh herë tejkalojnë qëllimin e kolektivit dhe nëse dikush guxon t’i kritikojë gjendet automatikisht “me shpatulla për muri” dhe aktivizohen ndaj tij mekanizmat e shpifjes dhe të përbaltjes sikurse nuk kanë të njëjtin qëllim”, theksojnë studentët në një vërejtje me të cilën besoj se pajtohet shumëkush.

Do të ishte për të ardhur keq, madje tragjike për fatet e emigracionit shqiptar në Greqi, që kjo iniciativë e studentëve – brezit tonë më shpresëdhënës e shpresëmbartës, të mbulohej me heshtje, apo më keq akoma, të trajtohej në mënyrë armiqësore.

Para disa muajsh, Tribuna kishte përshëndetur udhëheqjen e re të Federatës së Shoqatave, siç kishte vlerësuar edhe kontributin e udhëheqjeve të mëparshme.

Në atë shkrim, të botuar në maj 2013, shprehnim besimin se “dalëngadalë do të duhet të ketë nisur dhe pjekja e kushteve për një bashkim të vërtetë e funksional të gjithë grupimeve e shoqatave. Askush më mirë se njerëzit e rinj në drejtim të tyre nuk mund të bëhet nismëtar i këtij bashkimi, në kohën që gjithë përpjekjet e tjera deri më tani kanë rezultuar të pafrytshme”.

Iniciativa e 30 studentëve shqiptarë, (në fakt, 30 janë nismëtarët, pse numri i përkrahësve rritet vazhdimisht), mendojmë se duhet të shërbejë pikërisht si kushtrim për t¢u intensifikuar puna për bashkimin dhe përfaqësimin cilësor, pa xhelozira dhe rivalitete. Ky është një shans historik, që nuk duhet lënë në asnjë mënarë të kalojë. Në të kundërt, shqiptarët në Greqi do të vazhdojnë të mbeten të përçarë, të vuajtur e të nëpërkëmbur, dhe për këtë nuk do ta ketë fajin “greku”, siç lehtësisht jemi justifikuar deri më sot...

LETER E HAPUR DREJTUAR EMIGRANTIT SHQIPTAR NE GREQI

Organizimi i komunitetit shqiptar dhe mungesa e kulturës së bashkëpunimit

Po fillojmë këtë letër me disa fakte të pranuara gjerësisht. Emigrantët janë shtresa më e prekur nga kriza ekonomike që po godet Greqinë pesë vjet tani. Për sa i përket bashkatdhetarëve tanë, sipas një raporti të USAID-it, afërsisht 20% e emigrantëve shqiptarë në Greqi janë kthyer tashmë në atdhe për shkak të krizës. Po për të njëjtin shkak shumë shqiptarë kanë probleme me lejen e qëndrimit, dhe nëse kanë fëmijë që mund të vazhdonin studimet në shkollën e lartë, ndoshta kjo është e pamundur pasi qeveria greke sipas një vendimi që mori nuk u lejon atyre studimin në universitete. Por problemet nuk përfundojnë këtu. Radha e tyre vazhdon me toponimet, të drejtat profesionale, papunësinë, burokracinë në procesin e lejeve, dhe sigurisht dhunën rraciste e cila po rritet gjithnjë e më shumë. Përvoja personale e çdo kujt prej nesh mund ta zmadhojë shumë më tepër listën e problemeve.

Dikush mund ta krahasojë këtë listë me kutinë e Pandorës dhe kjo do të ishte vërtetë interesante. Pikërisht ashtu si edhe Pandora kur hapi kutinë me pasojë çlirimin e të gjitha të këqijave, vuajtjeve, dhe sëmundjeve, nëse dikush përpiqet të hapë psikikën e emigrantit shqiptar (dhe jo vetëm) do të gjejë brenda një numër problemesh. Por ndryshe nga miti i Pandorës, ai ka humbur edhe shpresën. Ka humbur shpresën për një jetesë më të mirë, dhe vullnetin për të përcaktuar jetën e tij. Pyetja që lind është përse kaq shumë shqiptarë, në kaq shumë vite, kanë bëre kaq pak për njëri-tjetrin? Do të lëmë jashtë, mbase arbitrarisht, shoqërinë greke, për tu përqendruar tek veprimet tona. Çfarë gabimi bëjmë ne dhe nuk kemi përgjigje të kënaqshme për pyetjet e mësipërme.

Organizimi

Është shumë e rëndësishme sot të diskutojmë mbi organizimin tonë meqenëse një prej problemeve kryesore që ka pllakosur emigracionin qysh nga vala e viteve 90 është mënyra e organizimit dhe si mundet kjo të bëhet më efektive. Përvoja e deri tanishme ka treguar se nuk është diçka e thjeshtë meqenëse rezultatet e arritura janë të pakta nëse jo inekzistente. Një arsye me të cilën pjesa dërrmuese e emigrantëve do të pajtoheshin për këtë pamundësi është fakti se shumë prej personave që marrin iniciativa të tilla janë arrogantë dhe të etur për publicitet. Ambiciet personale shpesh herë tejkalojnë qëllimin e kolektivit dhe nëse dikush guxon t¢i kritikojë gjendet automatikisht “me shpatulla për muri” dhe aktivizohen ndaj tij mekanizmat e shpifjes dhe të përbaltjes sikurse nuk kanë të njëjtin qëllim. Të paktën nga aspekti i “qëllimit të deklaruar” sepse ndodh, gjithashtu shpesh herë, disa që vetëshpallen si shpëtimtarë të emigrantëve e vetmja gjë të cilën vërtetë dëshirojnë janë përfitime personale. Dhe nuk bëhet aq fjalë këtu për strukturën e organizimit sa për rregullat që përshkojnë organet por edhe anëtarët. Emigranti shqiptar është i lodhur nga këto mënyra mendimi e veprimi, sepse ka vuajtur dhe po vuan nga të ashtuquajturit “përfaqësuesit e tij” të cilët shfaqin tendenca elitizmi sikurse këta janë te vetmit që zotërojnë të vërtetën absolute. Koncepte të tilla që lindin diskriminimin institucional dhe organizativ janë provuar edhe më parë jo vetëm në brendësi të komunitetit por edhe në raste të tjera dhe të ndryshme që nuk ja vlen ti përmendim këtu. Pra një problem i parë që duhet të përballojmë të dashur bashkatdhetarë është "elitarizimi i shpëtimit".

Sasi dhe cilësi

Nga sa u tha më sipër, del në sipërfaqe një dilemë e cila na kujton një diskutim shumë të vjetër mbi debatin se ku duhet të përqendrohet një organizatë, në rritjen e saj sasiore apo atë cilësore. Ajo që ne theksojmë këtu si anëtarësi cilësore nuk ka të bëjë me shkollimin formal të anëtarit, por me atë se sa një anëtar e ka kuptuar, përvetësuar konceptin dhe programin dhe sa është në gjendje ta riprodhojë atë. Sa më shpejtë të kuptojmë se po nuk bashkëvepruam me emigrantët me sinqeritet dhe respekt reciprok do të jemi gjithnjë për të "Kryesia" ose një konstrukt i veçantë i cili sikurse i prejardhur nga një planet tjetër premton se do të luftojë për emigrantin, pa emigrantin. Se do të organizohet në grupe sekrete ku mundësinë e hyrjes e kanë vetëm të “zgjedhurit” e komunitetit, duke përjashtuar kështu cilindo tjetër që ka dëshirë dhe vullnet për të kontribuar. Mentalitete të cilat i përkasin një epoke të kaluar përpiqen, pa marrë parasysh se realiteti ndryshon me ritme të shpejta, dhe akoma më i shpejtë është ritmi që rriten problemet e emigrantëve, me metodologji po të shkuara. Qëllimi ynë themelor duhet të jetë gjithnjë zgjerimi në sasinë e gjerë të emigrantëve shqiptarë por nga ana tjetër duhet të kemi ndërmend se në ditët bashkëkohore një organizatë që ka shumë anëtarë dhe që aktivistë janë vetëm “elitat e kryesisë” tregon se nuk e ka kuptuar dhe as nuk e ka përvetësuar rolin e saj.

Kulti i personalitetit

Persona të dehur nga qendra e vëmendjes sulmojnë çdo gjë të re, sepse mania e karriges ka pushuar së qeni mjet dhe është shndërruar në qëllim. Dukuri jo e rrallë në shoqërinë shqiptare. Çdo gjë e re trajtohet si e huaj, ndërsa idetë e reja çensurohen dhe trajtohen si të rrezikshme. Ndërgjegje të frikësuara se mos humbasin karrigen megjithëse druri i saj është kalbur dhe është gati për t¢u rrëzuar. Sigurisht që do të rrëzohet edhe një herë mbi shpinën e emigrantit, sepse deri sa nuk kuptojmë se një kolektivitet ka një substancë e cila tejkalon shumën e anëtarëve të saj sado që të përpiqemi do te humbasim. Por kjo nuk do të thotë në asnjë mënyre se kolektivi mund të mbysë pikëpamjet e ndryshme, ose mos të respektojë dhe zbatojë vendimet e marra nga anëtarët e tij, qoftë ata individë ose organe të tjera.

Marrëdhënie dialektike

Ajo që me siguri mund të thuhet është se, pa marrëdhënie dialektike midis emigrantëve shqiptarë dështimi po “po përgjon në qosh”. Çdo dobësi e jona barazohet me akoma më shumë halle për ata që e kanë të pamundur të organizohen meqenëse kohët që po përshkojmë janë të vështira. Nuk mund të dështojmë edhe për një faktor tjetër, sepse si komunitet jemi të harruar nga cilado qeveri e atdheut tonë që ka kaluar deri më sot, ndërsa në të njëjtin moment jemi të pambrojtur nga politikat për emigracionin që zbatohen në vendin ku banojmë. Problemi i toponimeve, që përmendëm, po bën qindra familje shqiptare të ndikohen në mënyrë negative si psikologjikisht ashtu dhe materialisht. Çdo minutë që shpenzojmë duke mos vepruar për qëllimin që theksojmë, shtyjmë dhunshëm në të njëjtin moment disa prej bashkatdhetarëve tanë në fenomenin e asimilimit sepse preferojnë këtë rrugëdalje kur zhgënjehen nga bashkëkombasit e tyre dhe ambicjet personale apo dukurive të tjera negative. Konkluzioni është mëse i qartë se prishës të shoqërisë dhe të komunitetit janë ata që nuk kanë mësuar të dëgjojnë, të bisedojnë dhe të shndërrojnë mendime.

Dyshimi reciprok lind mosbesimin

Dyshimi nuk mund të kategorizohet si gabim vetvetiu prandaj këtu kërkojmë vëmendjen tuaj që mos të keqkuptohemi. Nëse mënyra e të dyshuarit, ose kritikës, të një veprimi, ose një sjelljeje e shfaqur nga një qenie shoqërore (siç është një shoqatë, ose një federatë), është produktive, atëherë këto duhet të jenë te mirëpritura, nëse jo të nevojshme. Nga ana tjetër nëse dikush dyshon, vetëm për të dyshuar me rezultat të bëhet pengesë në garën e komunitetit për të realizuar qëllimet e tij, të cilët sigurisht, duhet të dalin nga problemet e emigrantit, duhet të izolohet e mënjanohet. E njëjta gjë vlen dhe për kritikën, e cila duhet të trajtohet si e tillë, dhe jo të konsiderohet si kërcënim. Nevojitet pra një konsensus shoqëror, sepse, nëse që të japim beteja së bashku është e vështirë, që të fitojë secili për veten është e pamundur.

Ripërcaktimi i veprimit kolektiv

Është e domosdoshme të lëmë pas sindroma dhe komplekse që i përkasin së kaluarës. Nuk kemi luksin të lëmë disa persona, që prezantohen si heronj, të rivendikojnë të drejtat tona, pa i dëgjuar ato. Larg logjikës “ngarkim detyrash” do të kemi mundësi te jemi më produktivë. Të shmangim sa më shpejtë personat të cilët instrumentalizojnë të mirën e përgjithshme dhe kolektivin për interesat dhe ambicjet e tyre persoale. Komuniteti shqiptar ka nevojë të rritet dhe të piqet më së fundi. Është i padrejtë vendi i tij në këtë shoqëri prandaj dhe një vlerë tjetër që është e detyrueshme midis nesh është ajo e solidaritetit dhe me çdo gjë ajo përfshin.

Përfundimisht

Tipari themelor i veprimtarisë tonë kolektive, qoftë ai ndodh në kuadrin e një shoqate apo të një federate duhet të jetë inkuadrimi i strukturës shoqërore.

E dyta duhet të ketë lidhje organike me të parat dhe jo të karakterizohet nga një kompleks superioriteti. Një organizim i tillë është i domosdoshëm për lëvizje që synojnë transformime sociopolitike në një vend.

Kemi nevojë pra për një federatë e cila do të jetë pikë referimi për të gjithë emigrantët shqiptarë. Duke thënë këto bëhet e qartë se ka një nevojë për ndryshim lundrimi. Kemi nevojë për rivendosjen e rregullave, të besimit, të lirisë së fjalës, dhe mbi të gjitha disponueshmërisë për bashkëpunim. Le të jenë solidariteti, bashkëpunimi, besimi dhe ndërveprimi kolektiv, vlerat që do të na shoqërojnë në përpjekjen tonë për ndryshim dhe për një jetesë më të denjë. Le mos të harrojmë se kemi probleme të përbashkëta, dhe prandaj duhet të japim zgjidhje të përbashkëta.

Bashkëfirmoset nga:
  1. Erta Mata / Universiteti i Kretës / Fakulteti i Pedagogjisë
  2. Fationa Muça / Universiteti i Athinës / Fakulteti i Gazetarisë dhe Komunikimit
  3. Natasha Sallja / Universiteti i Demokritit (Komotini) / Fakulteti Juridik
  4. Maria Troshku / Univetsiteti i Patras / Fakulteti i Filologjisë
  5. Armela Gjovasho / Universiteti i Pireut / Fakulteti i Inxhinierisë Civile
  6. Armela Prifti / Universiteti iMaqedonisë / Fakulteti i studimeve ballkanike, sllave dhe lindore
  7. Gjergji Çako / Universiteti Ekonomik i Athinës / Fakulteti Ekonomik
  8. Isida Moraiti / Universiteti Aristoteli i Selanikut / Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportiv
  9. Dora Duxi / Universiteti i Janinës / Fakulteti i Filozofisë, Pedagogjisë, dhe Psikologjisë
  10. Edona Cani / Universiteti i Athinës / Fakulteti i Shkencave Politike
  11. Ervisa Çipi / Universiteti i Pireut / Fakulteti Ekonomik
  12. Ervisa Kumanaku / Shkolla Profesionale e O.A.E.D / Dega Grafike
  13. Enkeleda Çelniku / Universiteti i Athinës / Fakulteti i Mjekësisë
  14. Ervis Dyrma / Universiteti i Iraklios / Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
  15. Anisa Dedja / Universiteti i Athinës / Fakulteti Shkencave Politike
  16. Ioanna Kantollari / Universiteti i Kretës / Fakulteti i Psikologjisë
  17. Gaston Sanxhaku / Universiteti i Halkidës / Fakulteti Inxhinierisë Mekanike
  18. Rea Muça / Universiteti i Maqedonisë / Fakulteti i studimeve ballkanike, sllave dhe lindore
  19. Saimir Lamaj / Universiteti i Kretës / Fakulteti Shkencave Politike
  20. Kristi Dedja / Universiteti i Peloponezit / Fakulteti i Politikave Shoqërore dhe Arsimore
  21. Majlind Mahmutaj / Universiteti i Athinës / Fakulteti i Teknologjisë Energjitike
  22. Blerim Beido / Universiteti i Athinës / Fakulteti i Marketingut dhe Reklamimit
  23. David Rama / Universiteti i Peloponezit / Fakulteti i Shkencave Politike
  24. Kozmas Subashi / Universiteti i Athinës / Fakulteti i Bizneseve Turistike
  25. Besmir Hasanaj / Universiteti ASPETE / Fakulteti i Inxhinierisë Civile
  26. Irinula Papajani / Kolegji “New York” / Marrëdhënie Ndërkombëtare
  27. Elvisa Gjavasho / Shkolla Profesionale AKMI / Dega e Dietologjisë
  28. Erin Drio / Universiteti i Pireut / Fakulteti i Inxhinierisë Elektronike
  29. Redjan Asllanaj / Universiteti Ekonomik i Athinës / Fakulteti Ekonomik
  30. Adiljan Koxhaj / Universiteti i Kretës / Fakulteti i Shkencave Politike
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet