GREQI - Shqiptarët e dënuar në burgun e Grevenasë në Greqi, kanë kërcënuar se do të djegin të gjithë burgun, në rast se ndaj tyre nuk do të ndërpriten dhuna dhe keqtrajtimet e gardianëve.

“Na rrahin më ç’kanë në duar. Në qelitë tona hyjnë forca special, të armatosura rëndë dhë na torturojnë”. Kështu është shprehur gjatë një interviste telefonike me A1 Report, Fabio Dushku, një i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili ndodhet në burgun e Grevenasë në Greqi. Ai ka treguar më tej, se të burgosurit, shumica shqiptarë, por edhe me kombësi të tjera, por përgatiten të djegin burgun, nëse fjala e tyre nuk dëgjohet.

Në cilin burg ndodhesh, Fabio?
Në Grevena.

Çfarë problemi keni? Përse ke kërcënuar se do të digjni burgun? Çfarë ka ndodhur atje?
Çfarë po ndodh? Kanë një muaj rresht që hyjnë forcat speciale dhe ushtrojnë dhunë ndaj të burgosurve dhe gjëra çnjerëzore që nuk e ka as ligji, as një gjë tjetër që bëjnë gjëra të tilla ndaj nesh, nuk kanë arsye për çfarë t’i bëjnë këto gjëra.

Vijnë me armë të rënda nëpër qeli, na shtrijnë barkas. Bëjmë gjëra që një njeri, një i burgosur mbase nuk e di gjuhën greke. Ai thotë “duart lart” dhe ai nuk e kupton çfarë po thotë, ai mund ta godasë, sepse hyjnë me armë lufte në burg.

Fabio, ju kanë dhunuar fizikisht?
Mua s’më kanë dhunuar fizikisht dhe këtë sektor që jemi ne, por në sektore të tjera kanë bërë gjëra, masakra, me elektroshok, i kanë goditur, kanë grisur flamurin shqiptar. Domethënë, kanë ushtruar dhunë nga më të ndryshmet, pa asnjë lloj arsyeje, pa asnjë lloj kundërshtimi nga ana jonë si burgaxhinj. Kemi bërë thjesht atë që na kanë thënë ata dhe asgjë më tepër. Ata ushtrojnë dhunë dhe shumë gjëra të tjera, sikur ne jemi jashtë burgut.

Çfarë dhune ushtrojnë ata? Për çfarë dhune e ke fjalën? Për dhunë verbale, presion psikologjik, dhunë fizike?
Dhunë psikologjike ushtrojnë përditë ata, sa herë që vijnë.

E bëjnë vetëm me të burgosurit shqiptarë apo me të gjithë të burgosurit e burgut?
Jo, vetëm tek ne të huajt.

Kush futet përveç shqiptarëve, kush tjetër?
Ka kombësi tjetra, ka rusë, ka arabë, ka rraca të ndryshme këtu në burg, por më shumë ka shqiptarë, më shumë që janë dhunuar janë shqiptarë.

Çfarë keni kërkuar ju?
Ne kemi bërë gjashtë muaj kërkesë për ndërrimin e ligjeve. Kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë, të gjithë burgjet pa përjashtim dhe nuk na kanë kthyer asnjë lloj përgjigjeje.

Çfarë kërkese konkretisht? Për çfarë ndryshimesh në ligje? Çfarë kërkoni?
Që të ulen dënimet, të dënohen njerzit me fakte, mos të dënohen pa fakte, se këtu nuk ka drejtësi fare.

Me sa vite je dënuar ti Fabio?
Jam dënuar dy herë me burgim të përjetshëm.

Me çfarë akuze?
Për vrasje.

E ke pranuar akuzën?
Jo, nuk e kam pranuar. S’mund ta pranoj diçka që s’e kam bërë.

Ke ndonjë të burgosur shqiptar që është dhunuar fizikisht dhe që nuk ka folur?
Ka sa të duash. Sot (dje) kanë hyrë në sektorë të tjerë dhe kanë ushtruar dhunë. Është i vetmi burg që ushtrohet kjo dhunë dhe që ndodhin këto gjëra, në burgje të tjera nuk ndodh asgjë.

Është i njëjti burg ku u mbajtën peng disa gardianë apo kjo është ngjarje e një tjetër burgu?
Jo, kjo nuk ka asnjë lidhje me këtë burg. Nuk ka lidhje këtu me Alketin, Alketi ka qënë në burg tjetër.

Në çfarë burgu ndodhet Alket Rizai?
Në Maladrino.

Pra ju nuk keni lidhje me Alket Rizain?
Jo nuk kam asnjë lloj lidhje. Kjo gjë ndodh sepse edhe kur ndodhi ajo me Rizaj, kisha ndërhyrë dhe kisha bërë nëpërmjet avokatit një kërkesë, që të shkoja atje, në burg ku kishte marrë Rizaj njerëzit, që të dorëzonte Rizaj, i bëmë kërkesë ministrisë nëpërmjet avokatit, që të shokja unë atje personalisht, që të dorëzohej Alketi. Nuk u pranua kërkesa.

Je shok me Alketin?
Po, po, jemi shokë.

Kujt i kërkon ndihmë?
Dua të bëj një mesazh. I bëj thirrje Ministrisë së Drejtësisë të Shqipërisë dhe Ambasadës shqiptare këtu në Greqi, që të marrë masat dhe le të vijë të shikojë gjendjen, sepse nuk dihet ku do shkojë kjo gjendje, që nga dita në ditë po përkeqësohet, nuk po rregullohet asgjë këtu. Do përkeqësohet dhe ne nuk do dimë se çfarë do bëjmë.

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)