ATHINË - Të paktën 25 mijë persona, sipas policisë, manifestuan sot në Athinë kundër masave shtrënguese.
"Ne nuk jemi thjesht shifra, ne meritojmë kushte jetese njerëzore", thërrisnin manifestuesit në sheshin "Syntagma", përballë Parlamentit, në Athinë.
Një mijë organizata sindikale që përfaqësojnë sektorin publik dhe atë privat në të gjithë Greqinë u mblodhën sot për të kritikuar se përveç 1,5 milionë të papunëve (sipas shifrave zyrtare), ka edhe 500 mijë të punësuar që nuk janë paguar prej disa muajsh.
Sindikatat kryesore të sektorit privat dhe publik, "Gsee" dhe "Adedy", kanë kërkuar organizimin e një greve të përgjithshme më 27 nëntor në Greqi, për të kritikuar vazhdimin e masave shtrënguese në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2015.
Pushimi nga puna e 6 500 funksionarëve si dhe një gropë buxhetore e parashikuar për vitin 2015 mbeten një problem për qeverinë që kërkon të kalojë planin e FMN-së deri në fund të vitit, pra një vtië e gjysmë më herët nga parashikimet. Dy vitet e fundit, vala e protestave në Greqi ka rënë për shkak të lodhjes së qytetarëve dhe të rimëkëmbjes së stabilitetit ekonomik dhe politik./ATSH/