ATHINË- Qeveria Greke ka vendosur t’i japë një impuls të ri bisedimeve me kreditorët ndërkombëtarë nëpërmjet riorganizimit të skuadrës së tij të negociatave.
 
Vendimi është marrë nga kryeministri Aleksis Tsipras gjatë një mbledhje, ku ka komunikuar se pjesë e grupit vazhdon të mbetet ministri i financave Yanis Varoufakis.
 
Ai do jetë drejtuesi i skuadrës së re, të ngarkuar për negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Komisionin Europian dhe Bankën Qëndrore Europiane, që do të ketë si kordinator zëvendës ministrin e marrëdhënieve me jashtë, Euclid Tsakalotos.
 
Prej muajsh Greqia ndodhet në vështirësi në arritjen e një marrëveshje me liderët e Eurogrupit, çka do t’i mundësonte asaj marrjen e këstit të fundit të ndihmës.
 
Mos pranimi i listës së reformave të paraqitura prej qeverisë greke për disa herë rradhazi vazhdon të pengojë këtë etapë, pasi është një kusht i rëndësishëm i vendosur nga autoritete europiane.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)