1756134066_pandelinakoleciiarrestuarngapoliciagreke.png

Zbardhet dëshmia e plotë e 40-vjeçarit Pandeli Nakoleci në Gjykatën e Volosit në Greqi ditën e sotme, gjatë masës së sigurisë ku u la në “arrest me burg”, për vrasjen e bashkëshortes së tij, Marjola, 36 vjeçe, nënë e 4 fëmijëve.

Media greke dhe avokati i familjarëve të viktimës e kanë quajtur një “vrasje t dytë të Mariolës” deklaratën e të dyshuarit, që u përpoq të kërkonte ndjesë dhe të pretendonte se kishte tentuar vetëvrasjen pas ngjarjes në qeli i shkatërruar.

Për gjysmë ore me radhë ka zgjatur fjala e Nakolecit, teksa media greke e zbardh të plotë atë që ai tha në sallën e gjyqit, ku shprehu pendesë dhe kërkoi falje, duke thënë se “do donte ta kthente kohën pas”. Shqiptari i qëndroi alibisë së tërbimit të tij kur mësoi se fetusi që kishte mbajtur gruaja nuk ishte i ngjizur prej tij dhe se ajo e tradhtonte.

Dëshmia e plotë e 40-vjeçarit Nakoleci në Gjykatën e Volosit:

«Me bashkëshorten time kishim për më shumë se 20 vite një jetë familjare të rregullt, të qetë, të harmonishme dhe normale, duke sjellë në jetë 4 fëmijë të cilët i rritnim së bashku. Kishim një marrëdhënie të shkëlqyer emocionale.

Unë punoja ditë e natë si furrtar dhe në të njëjtën kohë si ndërtues, për të siguruar të ardhurat e nevojshme që të mbuloheshin plotësisht nevojat jetike dhe ekonomike të familjes sonë gjashtëanëtarëshe, në mënyrë që fëmijëve të mos u mungonte asgjë. Ndërkohë, bashkëshortja ime merrej me rritjen e tyre, duke punuar vetëm herë pas here ose në mënyrë sezonale.

Bashkëjetesa jonë u trondit rëndë pas Pashkëve të vitit 2025, kur mora vesh dhe u binda se ajo mbante një lidhje paralele dashurie me një tjetër burrë, me të cilin kishte pothuajse çdo ditë komunikim dhe shkëmbim të shpeshtë mesazhesh erotike. Dyshoj fort se takohej dhe bashkë kishin edhe marrëdhënie intime, siç e pranoi edhe vetë pas shumë hezitimesh përballë meje.

Kjo më tronditi, më zemëroi dhe më nxori jashtë vetes në mëngjesin e 22/8/2025, kur zbulova se foshnja që kishte mbajtur së fundmi dhe e kishte humbur, nuk ishte imja. Këtë ma tha me një ton tepër përçmues dhe ironik, gjë që më fyeu rëndë si burrë. Për pasojë rashë në gjendje shoku. Në atë çast kapa thikën që e përdornim për pjekje mishrash në ballkon, pa e planifikuar, pa e paramenduar me qëllim vrasjen, por i pushtuar nga zemërimi, i shkaktova plagë në gjoks dhe në qafë pa kuptuar se do t’i merrja jetën. Kurrsesi nuk e synoja këtë. Nuk kisha qëllim kriminal, doja veçse ta trembja sepse më kishte poshtëruar në mënyrën më të dhimbshme.

Jam sinqerisht i penduar për aktin tim të tmerrshëm. Dua të kërkoj falje para së gjithash nga 4 fëmijët e mi, nga të afërmit e saj, nga shoqëria për tragjedinë që pa dashje e shkaktova, pavarësisht se isha provokuar rëndë dhe u ndjeva thellësisht i fyer.

Do të doja që koha të kthehej pas, që gruaja ime të ishte gjallë, që të isha unë në vend të saj. Jam i thyer shpirtërisht, i tronditur dhe i rrënuar psikologjikisht, i dëshpëruar dhe, madje, dy ditë më parë mendova në qeli t’i jepja fund jetës time.

Ndihem fajtor për humbjen e parakohshme, vrasjen e gruas sime, e dënoj veten që nuk zgjodha rrugën e arsyes dhe vetëpërmbajtjes në kërkim të zgjidhjes së martesës sonë, të cilën e ndjera nuk e respektoi, në mënyrë që grindja e 22/8/2025 të mos përshkallëzohej.

Mohoj kategorikisht se kam qenë i dhunshëm me të, se kam përdorur dhunë fizike ndaj saj ose e kam detyruar me forcë ose kërcënim të kryejë marrëdhënie seksuale pa vullnetin e saj, nuk korrespondon me realitetin dhe është një pretendim i rremë, përndryshe ajo do të më kishte denoncuar për çdo incident të dhunës në familje.

Kërkoj kryerjen e menjëhershme të një ekzaminimi psikiatrik, me qëllim përcaktimin nëse vuaj nga ndonjë sëmundje mendore, duke qenë se isha shtruar në spital në një strukturë psikiatrike nga e cila u lirova së fundmi pas një shtrimi tre-ditor të pavullnetshëm pas një tentative vetëvrasjeje dhe më ishin dhënë ilaçe që ende i marr, më diagnostikuan me një çrregullim ankthi dhe konfuzion që u shfaq së fundmi dhe u përkeqësua, me qëllim përcaktimin nëse jam i justifikuar të marr një imputim të reduktuar".


Lajmi kryesor:

U vra nga burri, Marjolës i jepet lamtumira në Korçë! Gjykata greke lë në burg 40-vjeçarin: Jam penduar, kërkoj falje