Greqia del nga program i huave emergjente, por problemi i borxhit mbetet

Greqia del nga program i huave emergjente, por problemi i borxhit mbetet

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras

Greqia përfundoi me sukses fazën e fundit trevjeçare të një programi ndërkombëtar të shpëtimit, duke rimarrë një farë kontrolli mbi financat e saj, të cilat janë mbikëqyrur që nga viti 2010 nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por ndërsa Greqia po merr autonominë ekonomike, për shumë grekë situata është ende e vështirë. Greqia doli zyrtarisht të hënën nga programi i saj i tretë dhe i fundit i shpëtimit, pas tetë vjet masash shtrënguese që u zbatuan në këmbim të kredive masive për mënjanimin e një kolapsi ekonomik në shkallën e Depresionit të Madh.

Ndonëse nuk do të kërkohen masa të reja shtrënguese pas përfundimit të paketës së shpëtimit, Komisioneri për Marrëdhëniet Ekonomike të BE-së, Pierre Moscovici tha sot se Greqia do të mbetet nën vëzhgim.

Greqia do të jetë subjekt i një kuadri më të zgjeruar mbikëqyrës pas programit që do të kryesohet nga Komisioni. Mund të njoftoj sot se misioni i parë pas programit në Greqi do të zhvillohet në javën e 10 shtatorit.

Pierre Moscovici

Për çdo vit gjatë katër dekadave të ardhshme, qeveria duhet të realizojë më shumë të ardhura se sa shpenzime, për të siguruar se ekonomia, e cila u tkurr me një të katërtën që nga viti 2009, do të rritet me një normë mesatare. Pensionistët përballen me shkurtime të reja vitin e ardhshëm, të rëna dakort qysh më parë, ndërkohë që një zgjerim i mëtejshëm i bazës tatimore do të fillojë në vitin 2020.

Ndërsa Greqia merr autonomi ekonomike, për shumë grekë situata është e vështirë.

Kurrë në jetën time nuk kam kaluar vështirësi si gjatë dy viteve të fundit. Ka patur ditë të tëra kur nuk hynte një klient i vetëm në dyqan.

Pronarja e një dyqani, Paraskevi Koliambi

Një në pesë grekë janë ende të papunë, me pak përfitime nga shteti, ndërsa pagesa e cunguar dhe puna e vështirë është standarti i ri i të punësuarve. Të ardhurat mesatare kanë rënë me më shumë se një të tretën ndërsa taksat janë rritur. Mësuesi Tryfonas Gergis thotë se ka shpresë, por nuk ka dyshim se qytetarët e Greqisë do të vazhdojnë të preken për vitet që vijnë.

Shpresoj për diçka më të mirë, edhe pas programit të shpëtimit. Besoj se masat e marra do t’i bëjnë grekët të paguajnë për vite me rradhë. Por ne të gjithë besojmë në diçka më të mirë. Shpresa vdes e fundit.

Tryfonas Gergis

Një nga fushat e ekonomisë që padyshim po lulëzon është turizmi, që sjell rreth 20 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për grekët, megjithatë, po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë të kalojnë pushimet në vendin e tyre, ndërsa qiratë afatshkurtra në lagjet rezidenciale të Athinës janë përtej mundësive për shumë vendas.

Grumbulli i madh i borxhit në Greqi si dhe borxhi akoma më i madh në Itali do të mbeten një kërcënim financiar për Evropën, që do të kërkojë kohë të zbutet.

Kryeministri populist Aleksis Cipras, që tani e lë veten ta festojnë si çlirues nga zgjedha e Trojkës e kuptoi këtë mjaft shpejt. Për disa muaj ai luajti rolin e kryengritësit të majtë, u ngrit së bashku me ministrin e tij të Financave me sjellje qesharake, Janis Varufakis, kundër donatorëve. Në vitin 2015 ai e çoi vendin në kufi të paaftësisë për të paguar. Pas vështrimit në humnerë, Ciprasi mori kthesën dhe urdhëroi masa kursimi më të ashpra se kurrë më parë. Ngriti taksat, por njëkohësisht uli ritmin e reformave. Në tërësi ai u përshtat me kursin e shpëtimit të Eurozonës dhe këtë e shet tani si fitore. Se pse ia besojnë grekët këtë, kjo mbetet çudi.

Sido që të jetë, aventurat e Ciprasit dhe të Varufakisit i kushtuan vendit gati tri vjet të tjera nën ombrellën e shpëtimit dhe një rënie të rendimentit ekonomik. Tani ekonomia dalëngadalë po bën sërish përpjetë. Kjo nuk ka lidhje me idetë e qeverisë radikale të majtë në Athinë, por me kursin e peshuar të evropianëve.

Që prej 21 gushtit, Greqia duhet të përballet sërish e vetme në tregjet financiare dhe të përpiqet të huazojë para me interesa të përballueshme. Kjo mund të dalë mbarë, vetëm kur çdo qeveri greke, e cila do të vijë në të ardhmen në pushtet, t’i përmbahet në mënyrë të hekurt disiplinës buxhetore dhe ta përmirësojë aftësinë për konkurrencë të vendit. Shansi i dytë, që ka Greqia tani, është fituar me mundim. Ai nuk duhet hedhur dëm.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Begaj pret Këshillin e Diasporës: Vota e emigrantëve e rëndësishme, shteti duhet të mbrojë të drejtat tuaja!

Presidenti Begaj pret Këshillin e Diasporës: Vota e emigrantëve e rëndësishme, shteti duhet të mbrojë të drejtat tuaja!