Greqia njoftoi sot se do të eksperimentonte, duke nisur nga viti 2015, të ardhurën minimale të garantuar për më të varfërit në 13 komuna të vendit të goditura nga recesioni që prej gjashtë vitesh.

"Ne do të përurojmë një mjet politik social për mbrojtjen e bashkëqytetarëve më të varfër, për luftën kundër varfërisë", deklaroi kryeministri, Antonis Samaras.
"Ekziston një e ardhur minimale e garantuar në pjesën më të madhe të vendeve evropiane", nënvizoi ministri i Punës, Yannis Vroutsis.

Banorët e 13 komunave greke që përmbushin disa kritere për të ardhurat dhe trashëgiminë do të eksperimentojnë gjatë gjashtë muajve në vitin 2015 duke përfituar pagesa minimale që arrijnë deri në 200 euro në muaj për person dhe deri në 500 euro për një familje me dy fëmijë.

Përqindja e papunësisë në Greqi, pas gjashtë viteve në recesion të thellë, arriti në 26,4 për qind, më e larta në Evropë.

ATSH