Greqia ka lehtësuar masat e ndërmarra për të përballuar pandeminë COVID-19. Nga nesër hiqet detyrimi për të mbajtur maskë në ambjentet e jashtme, ndërsa mbetet në fuqi rregulli për ta përdorur maskën në ambjentet e mbyllura.
Ndërkaq, nga dita e hënë, 28 qershor, në Greqi nuk do të ketë më asnjë kufizim për lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke hequr kështu orën policore.
Sipas mediave greke, autoritetet janë shprehur se situata epideimologjike në vend është përmirësur dhe prandaj është parë e arsyeshme lehtësimi i masave.
Ndër të tjera, nga data 28 qershor do të futen në fuqi edhe masa të tjera lehtësuese:
- Në tryezë nga 6 persona do të lejohen 10 persona,
- Në evente do të lejohen deri në 300 persona
- Personat që kanë bërë të dyja dozat e vaksinës dhe kanë kaluar 15 ditë që nga marrja e saj, nuk do jetë e nevojshme që të kryejnë test për të kryer aktivitete e tyre te përditshme
- Në plazhe do të lejohen 120 persona për çdo 1000 metër katrorë
Pak ditë më parë Greqia hapi kufinjtë edhe për qytetarët shqiptarë. Për të kaluar në kufirin grek qytetarët duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte: të jenë të pajisur me test anti-COVID, test serelogjik ose të kenë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID. Çdo qytetar duhet të plotësojë formularin PFL një ditë përpara se të hyjë në territorin grek, në të cilin jepen detaje për qëndrimin në Greqi.