TIRANE- Greqia me sa duket e quan 'të kryeme' marrëveshjen për kufirin detar me Shqipërinë, duke treguar dhe njëherë se nuk heq dorë nga qëndrimi i saj i parë, për të mos rinegociuar marrëveshjen me palën shqiptare, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese Shqiptare e hodhi poshtë këtë marrëveshje. Dhe e rrëzoi jo me një argument dosido, por me argumentin se u shkel Kushtetuta e Shqipërisë në pikën e cënimit të integritetit territorial të vendit.

Ketë e ka bërë më se të qartë ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos, i cili deklaroi në parlamentin grek se marrëveshja për kufirin detar që është arritur me Shqipërinë, duhet të zbatohet ashtu sikurse është nënshkruar nga dy ministrat e jashtëm të saj kohe dhe në prezencë dhe të dy kryetarëve të qeverive respektive. "Tema e marrëveshjes së vitit 2009, për delimitimin e zonës detare duhet të zgjidhet, duke aplikuar të gjithë ato, për të cilat është rënë dakord", tha Avramopulos gjatë fjalës së tij para deputetëve grekë, i thirrur në një seancë pyetjesh pikërisht për këtë çështje.

Ai u shpreh se për këtë çështje do diskutojë më gjerësisht me ministrin e Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, gjatë vizitës që ky i fundit do të bëjë në Greqi në fillim të muajit tetor. Ndërkohë që duke folur për gazsjellësin TAP, ministri theksoi se "diskutimi mbi ndërlidhjen energjetike mes dy vendeve me tubacionin TAP, i jep një dimension strategjik marrëdhënieve me Shqipërinë", dhe shtoi se në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme, do të takohet për këtë çështje me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, me të cilin do t'i diskutojë këto situata politike mes dy vendeve në mënyrën më serioze të mundshme.

Shefi i diplomacisë greke, Avramopulos vlerësoi si alarmuese, "forcimin e tendencave ekstreme nacionaliste në Shqipëri", të cilat siç nënvizoi ai, "me pretendimet e sajesat antihistorike në dëm të Greqisë, apo edhe me presionin mbi minoritetin kombëtar grek, janë duke u përpjekur të rrëmbejnë një gamë të gjerë interesash të përbashkëta të të dy vendeve". Ministri i Jashtëm grek siguroi se marrëdhëniet me Shqipërinë janë brenda prioriteteve të Athinës, por sipas tij, këto marrëdhënie, edhe pse të mira, nuk janë në nivelin e mundësive reale. Avramopulos tha se është objektiv, riforcimi i ndjeshëm i marrëdhënieve dhe në funksion të këtij qëllimi, përmendi vizitën zyrtare që pritet të zhvillojë në 5 tetor në Athinë, ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti. Avramopulos deklaroi se Greqinë e Shqipërinë i bashkon e ardhmja e përbashkët evropiane. Ai vërejti se në fushën ekonomike, Greqia mbetet investitori më i madh dhe më të rëndësishëm i huaj në Shqipëri e pavarësisht krizës ekonomike, nuk minimizoi pjesëmarrjen në sektorin privat, për zhvillimin dhe progresin e këtij vendi.

Kreu i diplomacisë greke përfundoi duke thënë se një faktor i rëndësishëm në përpjekjen për forcimin e marrëdhënieve, është sigurisht prania e minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, të drejtat e të cilit duhet të respektohen. Edhe perspektiva evropiane e Shqipërisë është sipas tij, një garanci shtesë në këtë drejtim. Ndërkohë që nesër kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha do të jetë në Romë ku do të marrë pjesë në takimin e Internacionales Demokristiane. Mësohet se në këtë kongres ai do të ketë mundësinë të takohet dhe me kreun e qeverisë greke, Antonis Samaras. Në takimin demokristian të Romës do të marrin pjesë edhe kryeministrat e Hungarisë, Spanjës dhe Irlandës.

Në njoftimin e qeverisë italiane thuhet se kryeministri Mario Monti do ketë një takim me kryeministrat e Spanjës, Greqisë dhe Irlandës, por nuk thuhet nëse do ketë një takim mes Berishës dhe Montit. Takimi me Samaras vjen në një kohë kur marrëdhëniet me Greqinë nuk janë në ditët më të mira. Shkak është bërë marrëveshja për ndarjen e detit. Greqia kërkon që në fuqi të mbetet marrëveshja e mëparshme, ndërkohë qeveria shqiptare po nxiton që të fitojë mbështetje për gazsjellësin TransAdriatik, ku një rol të rëndësishëm luan Greqia dhe Italia.

(Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)