Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të vizitojë Greqinë më 6–7 tetor, për bisedime mbi bashkëpunimin energjetik, sigurinë rajonale dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Greqi që prej marrjes së detyrës.
Një nga temat e pritshme është bashkëpunimi për energjinë, që ka rëndësi edhe për Europën Juglindore. Përpara udhëtimit, Rubio veçoi projektet rajonale dhe marrëveshjet përmes të cilave SHBA-ja synon të zgjerojë praninë e saj në tregun energjetik të rajonit.
Në këtë kuadër, ai përmendi Korridorin Vertikal të Energjisë dhe vlerësoi rolin e ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, në promovimin e interesave amerikane.
“Presidenti Trump dhe unë e vlerësojmë shumë punën thelbësore dhe rolin drejtues të ambasadores në rajon. Ajo ka çuar me sukses përpara interesat energjetike të SHBA-së në Greqi dhe në të gjithë Europën Juglindore, përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Energjisë, i mbështetur nga të dyja partitë amerikane”, deklaroi Rubio.
Deklarata, e shpërndarë nga Ambasada Amerikane në Athinë, vjen pak pasi një investigim i Wall Street Journal ngriti pikëpyetje për marrëdhëniet e Guilfoyle me një kompani greke të energjisë dhe ndërtimit. Gazeta shqyrtoi edhe lidhjet e saj me një lobist që e ka shoqëruar në takime me zyrtarë të lartë të huaj, si dhe angazhimin e saj në promovimin e marrëveshjeve për gazin natyror të lëngshëm amerikan në Europën Juglindore.
Rubio shprehu mbështetjen e tij për ambasadoren, duke e cilësuar “jashtëzakonisht të efektshme në promovimin e agjendës së Presidentit në Greqi dhe në të gjithë Europën”.












Komente
Komento