TIRANE- Nga data një qershor Greqia do të rinisë pagesën e pensioneve për minoritarët. Nga vendimi i ndërmarrë, do të përfitojë dhe personat me kombësi greke që jetojnë në Shqipëri. Pak muaj më parë ka qenë Pirro Dhima i cili ka deklaruar rinisjen e “shpërblimeve”, duke theksuar se tashmë ishin gjendur dhe fondet për këtë pikë. Nga kjo veç minoritarëve do të përfitojnë gjithashtu dhe pensionet e personave të pasiguruar të cilët janë në një moshë të madhe. Bëhet e ditur se janë rreth 23 mijë persona që do të përfitojnë nga skema, e cila është bërë publike nga presidenti i OGA-s, Ksenofon Verginis. Deklarata është bërë publike gjatë një interviste në kanalin televiziv ANT1 në Greqi.

Përfituesit
Bëhet e ditur se pensioni i paracaktuar prek një shifër prej 360 euro për person. Ndërsa këto përfshien kryesisht emigrantët nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe minoritarët grekë nga Shqipëria. Para 3 muajsh, u fol sërish për pensionet në fjalë, por mediat nuk kishin asnjë informacion nëse do të caktohej një qëndrim prej 10 apo 20 vitesh për të përfituar pensionin. Verginis thotë se edhe me zbatimin e kësaj rregulloreje, sërish kemi të njëjtin problem si atëherë. “Ose do të u themi gjyshërve vorioepiriotë të lënë shtëpitë e tyre për të plotësuar kriterin e viteve të kërkuara. Ose do të pezullohen grupmosha që ndërkohë marrin pension në Shqipëri”, u shpreh ai në televizionin grek. Ndaj ai kërkoi që ky ligj të rishikohet edhe një herë, për një zgjidhje më të mirë ku sigurisht të përfitojnë vetëm ato që e meritojnë.

Ndërprerja
Me krizën dhe diskutimin për shpalljen e falimentit të Greqisë, financat nisën dhe rishikimin e shpenzimeve në të gjithë sektorët. Për këtë u kërkua rishikimi i dokumenteve të të gjithë përfituesve të cilësuar si minoritar si dhe zbatimit të detyrimeve prej tyre. Me masat e ndërmarra u nënvizua se janë rreth 3600 persona në Shqipëri që rrezikonin pensionin apo dhe që iu ndërpre përfitimi si pasojë e shkurtimeve në buxhet. Ndërprerja e pensioneve për moshën e tretë të pasiguruar erdhi si pasojë e ndryshimit të ligjit, i cili ishte miratuar me kusht që të përfitojnë vetëm banorët që kanë mbi 20 vjet në Greqi dhe që nuk marrin ndonjë pension nga një vend tjetër. Reforma e ndërmarrë u shoqërua në atë kohë dhe me masat për marrjen e ndihmës financiare nga Greqia prej Bashkimit Evropian.

Politika
Por duket se tolerance sërish ka dhe një debat politik. Vendimi për rishikimin e skemës dhe nisjen e përfitimit të pensionit të “minoritarit” vjen në një kohë zgjedhjesh në shtetin fqinj. Vetëm një javë më parë në zgjedhjet vendore partia në pushtet Demokracia e Re, pësoi humbje në shumë bashki. Ndërkohë që tashmë ka nisur dhe gara e votimimit për eurodeputetët që do të përfaqësojnë Greqinë në Parlamentin Evropian. E gjithë situate tashmë ka marrë dhe formën e një debate tek parita e kryeministrit Samaras, e cila duket se ka nisur të llogarisë dhe numrin e votave në të gjithë strukturat e votuesve. Ndërsa për faktin se flitet për 23 mijë persona që përfitojnë këtë formë të pensionit, gjithashtu dhe votues, ka nisur dhe gara e premtimit apo dhe të garantimit të pensionit për minoritetet.

Shqipëria
Por dhe në Shqipëri ethet e garës politike kanë përfshirë komunitetin etnik grek. Kjo në diskutimin për reformën territoriale kur është propozuar krijimi i Himarës me zona me shumicë të minoritetit grek. Pikë që ka hasur dhe në kundërshtimin e deputetëve që kanë kërkuar largimin na ky koncept dhe krijimit të një Himare historike.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)