Prej 8 ditësh, 10 naftëtarë janë në grevë urie, pa arritur dialogun me Bankersin për rritjen e pagave. Në këto kushte sindikata kërkon nga Kryeministri Rama të ndërmjetësojë me kompaninë për të zgjidhur situatën.
Letra është përcjellë për dijeni edhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
“Duke qenë se situata është bërë kritike dhe rrezikon si shëndetin e punonjësve, ashtu edhe sigurinë e vendburimit, kërkojmë ndërhyrjen tuaj të menjëhershme dhe angazhimin e institucioneve përkatëse për të ndërmjetësuar dhe zgjidhur këtë situatë në mënyrë të drejtë e të qëndrueshme. Kërkojmë gjithashtu që të garamohet trajton dinjitoz për naftëtarët, të cilët me përkushtim e sakrificë kanë kontribuar për vite me radhë në sektorin strategjik të kësaj industrie”, thuhet në letrën dërguar Ramës.
Grevistët kërkojnë rritjen e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës, zbatimin e statusit të naftëtarit.
Ndërkohë, Bankers deklaron se do të bëjë vetëm rritjen e trajtimit ushqimor në nëntor, pasi nuk është në gjendje të miratojë ndonjë rritje shtesë të pagave. Sipas saj, ka presione financiare, përfshirë rënien e çmimit të naftës në bursë.
“Pavarësisht sfidave aktuale, kompania mbetet e përkushtuar për të zbatuar rritjen e planifikuar të trajtimit ushqimor, që do të hyjë në fuqi më 1 nëntor. Aktualisht, ne nuk jemi në gjendje të miratojmë ndonjë rritje shtesë, për shkak të presioneve të vazhdueshme financiare, duke përfshirë rënien e çmimeve të naftës në 60 dollarë amerikanë për fuçi dhe parashikimet që sugjerojnë një rënie të mëtejshme vitin e ardhshëm dhe gjithashtu një kurs këmbimi të pafavorshëm të dollarit amerikan i cili ka rritur kostot lokale me 30%. Fokusi ynë mbetet në sigurimin e vazhdimësisë së pagave dhe ruajtjen e stabilitetit financiar të kompanisë”, thuhet në reagimin e kompanisë.
.jpeg)

Komente









