Greva e pilotëve të Lufthansa hyri në ditën e dytë të martën, duke e detyruar kompaninë e linjave ajrore gjermane të anulojë qindra fluturime në qendrat e saj kryesore në Frankfurt e Mynih, çka ka sjellë ndërprerjen e udhëtime për mijëra pasagjerë.

Në Frankfurt, u prekën afërsisht 550 fluturime, sipas sindikatës së pilotëve Vereinigung Cockpit (VC). Më shumë se 300 fluturime u anuluan në Mynih, qendra e dytë më e madhe e Lufthansa-s, ndërsa rreth 40 nisje dhe mbërritje avionësh u anuluan në Berlin.

Greva 48-orëshe, e thirrur nga VC të hënën, rrjedh nga muaj të tërë negociatash të bllokuara mbi pagat dhe pensionet e kompanisë. Sindikata thotë se Lufthansa nuk ka arritur të bëjë oferta të pranueshme.

Edhe pse aksioni i pilotëve përfundon në mesnatë të martën, udhëtarët pritet të përballen me ndërprerje të reja. Një grevë e veçantë dy-ditore nga ekuipazhet e avionëve është planifikuar të fillojë në orën 12:01 të mëngjesit të së mërkurës (22:01 GMT të martën) dhe të zgjasë deri pak para mesnatës të së enjtes.

Organizata e Pavarur e Asistentëve të Fluturimit (UFO) tha se greva do të ndikojë në të gjitha nisjet e markave kryesore Lufthansa nga Frankfurti dhe Mynihu.