TIRANE- Në përvjetorin e 23 të grevës së urisë për heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës zëvendësministrja e Mirëqënies Sociale, Gentjana Mara Sula, bën publike komunikatën e studentëve grevistë të shkurtit 1991.

”Këtë Komunikate e ruaj si një relike e vyer të një ngjarje të pashlyeshme të jetes sime dhe të gjithë shqiptarëve”- shkruan ajo në facebook.

Komunikata e hartuar nga komisioni organizativ i lëvizjes studentore mban datën 18.2 91.

“Në këto ditë, kur e ardhmja e atdheut na rëndon fort mbi supe, ne e ndjejmë se vetëm nje demokraci reale mund të jetë shpëtimtare për të. Dhe heqje e emrit të universitetit, si një vendim i padrejtë i së shkuarës, është kusht bazë për demokracinë .”- thuhet në komunikatë.

KOMUNIKATË
Komisioni i grevës së studentëve të UT-së dhe Instituteve të Larta të Tiranës njofton opinionin publik mbarëkombëtar se në mbështetje të kërkesës së tyre të drejtë për heqjen e emrit të universitetit qindra studentë e pedagogë u hodhën sot në grevë urie në ambjentet e brendshme të qytetit studenti.
 
Kjo ngjarje pa precedencë në historinë e Shqipërisë është pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimit që kanë mbajtur ndaj protestave tona autoritetet përkatëse. Dy javë me radhë ne bojkotuam mësimin dhe u përpoqëm të gjenim rrugën më demokratike për zgjidhjën ë problëmit, dy javë me radhë sheshi demokracia buciti nga brohoritjet, dy javë me radhë ne argumentuam në mënyrë bindëse se heqje e emrit nuk është kaprico por domosdoshmëri. E për të gjitha këto morëm si përgjigje nga qeveria një vendim apatik, jo realist që më tepër se sa e shuan, sic pretendon , e nxit tensionin.

Vellezër dhe motra,
Ditët heroike të dhjetorit na mësuan të jemi të vendosur . T’i njohim të drejtat tona dhe mos ti kapërcejmë ato. Si ëngjëj bartës të demokracisë , studentët janë të bindur që ta cojnë deri në fund rrugën e tyre, atë që i hapi pluralizmit dyert 46 vjet të ndryshkura të Shqipërisë. Ndryshe demokracia do mbetet jetime (ne fakt kjo fjale nuk lexohej dot) ndryshe ju vetë do të na quanit të dobët, dhe historia do të na ndëshkojë. Në këto ditë, kur e ardhmja e atdheut na rëndon fort mbi supe, ne e ndjejmë se vetëm nje demokraci reale mund të jetë shpëtimtare për të. Dhe heqje e emrit të universitetit, si një vendim i padrejtë i së shkuarës, është kusht bazë për demokracinë .

Prindër, vëllezër dhe motra
Me vendosmëri por dhe pa dhimbje ne ju themi se sot nuk do të kthehemi si përherë në vatrat familjare. Nuk do të kthehemi as në mbrëmje . Ndoshta do t’ju mungojmë për ditë me radhë dhe jemi të bindur që kjo mungesë do tu bëjë juve krenarë.

Ndaj ju lutemi mos u merakosni, mos u largoni nga shtëpia dhe punët tuaja për të na bërë thirrje të heqim dorë. Ju po aq mirë sa ne e dini se Universiteti nuk ngrihet kot. Ndrydheni shqetësimin tuaj në vetvete ashtu si në ditët e dhjetorit, ku ndërsa na përcillnit duke na bindur të mos ndaheshim nga shokët , uroni që ëndrrat tona të mos mbesin vetëm të tilla.

KOMISIONI ORGANIZATIV I LEVIZJES STUDENTORE

Tiranë , më 18.2.91


Komunikata e greves se urise shkurt 1991

Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)