Më shumë se 18.500 qytetarë paraqiten në javë në qendrat spitalore me infeksione respiratore, dhe kjo do të thotë se jemi në kulmin e qarkullimit të gripit në vend. Megjithatë sipas specialistit të Institutit të Shëndetit Publik, mjekut epidemiolog Artan Simaku, situata mbetet ende larg pragut epidemik.

“Fundi i muajit janar dhe fillimi i muajit shkurt janë piku i qarkullimit të gripit në vend dhe i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme, por e theksojmë që në fillim që jemi në një situatë të zakonshme dhe normale për stinën. Aktiviteti i gripit paraqitet mesatar. Jemi ende larg pragut epidemik. Numri i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme është rreth 18.500 raste në javë”, tha Artan Simaku, mjek epidemiolog.

Vetëm në QSUT, çdo javë shtrohen mesatarisht në spital 130 të rritur si dhe 10 fëmijë. Simptoma kryesore është temperatura e lartë që zgjat disa ditë.

“Tek të rriturit janë rreth 130 rime në në javë, ndërsa flasim për Qendrën Spitalore Universitare, ndërsa tek fëmijët është një numër i ulët rreth 10 raste javore, por siç thamë që në ditët dhe javat në vijim pritet që të kemi më tepër forma të rënda dhe shtrime spitalore”, tha Simaku.

Së bashku me gripin stinor, paralelisht po qarkullon edhe Covid-19, si dhe viroza të tjera respiratore, përfshirë virusin respirator sincicial, i cili prek kryesisht foshnjat dhe fëmijët e vegjël.

“Bashkë me gripin ka bashkëqarkullim të Covidit, të virusit respirator sincicial që prek kryesisht foshnjat dhe fëmijët shumë të vegjël 0-2 vjeç deri në 3 vjeç. Dallimi kryesor i gripit nga këto covid dhe këto virozat e tjera është  gjendja klinike. Pra temperatura shumë e lartë që reziston për tre deri në një javë, pra 38 gradë e më tepër. Janë shenjat e përgjithshme skuqim sysh, rrjedhje hundësh, kollë dhe dhimbje e theksuar muskulare", tha Simaku.

Referuar përvojës së viteve të kaluara, ekspertët e shëndetit publik parashikojnë se qarkullimi i gripit do të mbetet i lartë edhe gjatë javëve të para të shkurtit, për t’u pasuar nga një rënie graduale e numrit të rasteve.