Grumbullimet në ambiente të mbyllura gjatë festave të fundvitit kanë ndikuar në shtimin e intensitetit të përhapjes së viruseve. Epidemiologu Artan Simaku sqaron se kjo situatë është e pritshme për këtë periudhë, por paralajmëron se piku pritet në fund të muajit janar. Më të prekurit mbeten fëmijët dhe të moshuarit.

“Aktiviteti i gripit paraqitet mesatar, por parashikohet një rritje në javët në vijim. Gjithashtu, edhe trendi i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme paraqet rritje. 13.000 raste në jave. Trendi është në rritje, por numri akoma është një numër normal, por ky numër parashikohet në rritje në javët në vijim. Të prekur janë të gjitha grupmoshat, por kryesisht gripi mbizotëron tek moshat fëmijërore dhe moshat mbi 65 vjeç  që janë dhe këto grupmoshat më vulnerabël, më të prekshme nga gripi”, shprehet Simaku.

ISHP nuk përjashton mundësinë e përhapjes së gripit të nëntipit K. Sipas Simakut, ky variant ka të njëjtat simptoma si gripi sezonal, por përhapet më lehtë.

“Mund të ketë një qarkullim sepse me lëvizjen gjatë festave kështu që po mund të jetë. Këto ndryshime gjenetike të vogla janë të zakonshme dhe të pritshme”, vijon Simaku.

Simaku këshillon qytetarëve të mos marrin medikamente pa rekomandimin e mjekut.

“Është e rëndësishme që popullata  mos të marri medikamente vetë në shtëpi ose nga farmacia direkt duke pritur që të bëhen mirë. Ndërkohë gjendja përkeqësohet dhe mbivendosen komplikacione sidomos tek fëmijët e vegjël që janë më të prekshëm dhe instalojnë komplikacione të ndryshme  që prekin sistemin nervor qendror dhe kalohet edhe në komplikacionet të mushkërive pneumoni dhe kërkohet shtrimi në spital”, tha Simaku.

Epidemiologët apelojnë se që me shfaqjen e simptomave të para, qytetarët duhet të paraqiten pranë mjekut, për të shmangur përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.