Nga studio e Rreze Dielli mëngjesin e sotëm Tereza Gjeçaj foli për betejën e saj të vështirë për të rifilluar jetën pas dhunës nga ish-bashkëshorti.

Ajo rrëfeu martesën e martesën e saj të hershme që në moshën 20 vjeçare. Me dy fëmijë dhe e dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga ish-burri i saj, Tereza ka vuajtur për 6 vjet martesën e saj.

"Çdo natë dhe ditë që jetoja me të, nuk kisha një qetësi në kokë. Nuk gjeja një gëzim, nuk gjeja një lumturi me të. Vetëm strese, halle, problem. Nuk sillte asnjë të mirë që të kishim një familje të lumtur", shprehet Tereza.

E pyetur në studio nga Erjona dhe Albani, Tereza na tregon se ajo punonte dhe përpiqej shumë për familjen e saj.

"Unë punoja, isha në fabrikë këpucësh dhe çdo datë që merrja rrogën ishte data më e keqe. Ajo datë sillte problem në shtëpi, sillte sherre, donte lekë që ti çonte në bixhoz. Unë nuk kisha guxim që ti thoja një herë të na blinte diçka, ose të na kryente një furnizim për shtëpinë", tregon Tereza në studio.

Pyetjes nëse ajo kërkonte ndihmë nga ish-burri i saj për tu kujdesur për shtëpinë Tereza i përgjigjet : “Po normal, si çdo grua që i thotë burrit për diçka për shtëpinë. Në vend që ti sillte ai me buxhetin e tij, unë me buxhetin tim i thosha që “Urdhëro lekët, shko na bli këtë ose atë”. Mirë që nuk i sillte por humbiste deri në darkë. Për të mos e bërë të ndihej keq shkonim të dy që edhe unë të sigurohesha , edhe ai të ndihej mirë. Por në këto raste më thoshte që po sillesha si kalama. Si të mos sillem si kalama, kur ma ka vërtetuar me mijëra herë se nuk është i aftë që të sjellë atë gjë për të cilën unë e çoj”.

Tereza për 6 vjet ka kaluar shumë sakrifica në jetën e saj. Ajo tregon se ka marrë borxh sepse ish-burri i saj mund ta dhunonte. Nuk donte të ndahej nga ai sepse e kishte zgjedhur vetë njeriun e jetës, ndaj donte tia dilte mbanë.
Sot ajo është në punë dhe ndihet shumë e qetë me veten e saj. Tereza përkujdeset për fëmijët e saj, dhe ndihet shumë mirë që ia ka arritur të gjejë forcën për ti thënë mjaft jetës së saj të vështirë.

Bashkë më Terezën, në studio ishte edhe avokatja Erisilda Shpata e cila trajtoi aspektet e dhunës dhe na dha disa statistika mbi dhunën në Shqipëri.

e.gj/Shqiptarja.com